Maqedoni
Procesi Bërdo-Brioni, liderët rajonal kërkojnë mbylljen e kontesteve
28.04.2018 12:00
Liderët e shteteve pjesëmarrëse në të ashtuquajturin “Procesi Bërdo-Brioni” mbajtën samitin vjetor në Shkup, ku ranë dakord që të vazhdojnë të mbështesin procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor si një trup i vetëm, që të mund së bashku të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane....

Vendet e rajonit duhet të mbyllin çështjet e hapura bilaterale dhe të hapërojnë drejt BE-së, për të bërë Evropën të plotë. Ky ishte mesazhi i liderëve të rajonit pas takimit në “Procesin Bërdo-Brioni”, në Shkup. Në këtë frymë, liderët rajonal por edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, inkurajuan Maqedoninë që të merr guximin për të tejkaluar kontestin që ka fqiun jugor.
“Në Ballkanin perëndimor vij me porosinë e qartë të të gjithë vendeve anëtare të BE-së se po përpiqemi fortë për perspektivën evropiane të rajonit. Mund të mbeshteteni te ne, dhe këto nuk janë vetëm fjalë të kota por fakt. Nuk bëhet fjalë për tregti, investime dhe para por, mbi të gjitha bëhet fjalë se çfarë shoqëri duam të jemi”, tha Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian
Mirëpo presidenti Ivanov, sërish i hodhi topin BE-së. Ai kërkoi kreativitet më të madh nga Unioni, ndërsa mori për shembull rastin mes Kroacisë dhe Sllovenisë, i cili mundësoi zhvillim paralel të negociatave për tejkalimin e kontestit dhe negociata për integrim.
“Si president i RM-së e ftoj unionin që të mundësojë lëvizja paralele të negociatave për anëtarësim dhe tejkalimin e dallimit dypalësh mes Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas natyrës së vet Zgjerimi është cështje politike dhe jo cështje teknike. Fjalën përfundimtare e ka Këshilli Evropian dhe jo KE-ja. Ndërsa cështja politike nuk mund të zgjidhet vetëm me qasje teknike por kërkon guxim, vendosmëri dhe kreativitet nga Unioni”, tha Gjorge Ivanov, president i Republikës.
Ndërkaq, kryeministri bullgar, Borisov, ftoi në lidership që të evitojnë obstruksionet.
“Shpresoj se nuk do të vijmë deri në atë pikë që dikush do të merr vendim të bëj obstruksione në avancimin tonë me arsye të pabaza. Njëkohësisht mendoj se Maqedonia dhe Greqia do të gjejnë mënyrë që të gjejnë zgjidhje për kontestin rreth emrit dhe kjo duhet të ndodh shumë shpejtë”, tha Bojko Borisov, kryeministër i Bullgarisë.
Në takimin e sotëm liderët rajonal kanë diskutuar mundësitë për lidhjen e vetë rajonit mes veti dhe lidhjen e rajonit me BE-në. “Këto diskutime do të vazhdojnë muajin tjetër në Sofje.-tha Tusk, i cili është optimist se edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor është i mundhsmë një zhvillim pozitiv.
Në takim morrën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta; ai I Kosovës, Hashim Thaçi; Aleksandar Vuçiq i Serbisë; Filip Vujanoviq i Malit të Zi si dhe kryesuesi i presidencës së Bosnjes, Bakir Izetbegoviq.
SHPËTIM NUREDINI
