Besimi : Përkrahja e BE-së, e nevojshme për zgjidhjen e çështjes së emrit
Integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, reformat, dialogu politik, si dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike ishin në fokusin e bisedimeve mes zëvendëskryeministrit për Çështje Euro-integruese, Fatmir Besimit, me ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, Federika Mogerini....

Integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, reformat, dialogu politik, si dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike ishin në fokusin e bisedimeve mes zëvendëskryeministrit për Çështje Euro-integruese, Fatmir Besimit, me ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, Federika Mogerini.
Zëvendëskryeministri Besimi, në takim theksoi se integrimi i Maqedonisë në BE, mbetet prioriteti kryesor i vendit dhe në këtë drejtim edhe në të ardhmen do të bëhen përpjekje të fuqishme në procesin reformues, me qëllim të arritjes së progresit, i cili do jetë i vlerësuar pozitivisht në raportin e vjeshtës nga Komisioni Evropian.
Ai edhe një herë ka ritheksuar se po punohet vazhdimisht në realizimin e plotë të reformave në Gjyqësor, në përforcimin e besimit në institucionet, në sundimin e Ligjit, lirinë e të shprehurit, dialogun politik dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike.
Besimi, në takim potencoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, pret përkrahje të fuqishme nga Presidenca italiane me Unionin, për fillimin e procesit të negociatave dhe se çështja e fillimit të negociatave do të vendoset në rendin e ditës së mbledhjes së muajit dhjetor të Këshillit të BE-së.
Ministrja e Jashtme e Italisë, Mogerini, i përshëndeti reformat që zbatohen dhe theksoi se Republika e Italisë gjatë Presidencës së saj me Bashkimin Evropian, seriozisht do t’i kushtohet procesit të zgjerimi të BE-së.
Mogerini, në takim mes tjerash rekomandoi që Maqedonia të vazhdojë me qasjen konstruktive për zgjidhjen e çështjes së emrit, që do t’i hapte rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Bashkëbiseduesit ishin dakord që për zgjidhjen e çështjes së emrit është i nevojshëm edhe angazhimi dhe përkrahja e vendeve anëtare të BE-së. (Besim Abdullahu, TVM2)
