Tetovë, fatura 60% më të shtrenjta për ujë
Rritet çmimi i ujit për pije në Tetovë. Tetovarët në vend, të 10,66 denarëve për metër kub ujë, tani do të paguajnë 16,12 denarë......

Rritet çmimi i ujit për pije në Tetovë. Tetovarët në vend, të 10,66 denarëve për metër kub ujë, tani do të paguajnë 16,12 denarë.
Shtrenjtim edhe në pagesën e Komunaleve. Në vend të 43,88 denarëve sa paguhej deri tani, shërbimet Komunale do të kushtojnë 65,5 për person. Kjo do të thotë se faturat do të vijnë për 60 % më shtrenjtë për ujin dhe 50% për mbeturinat. Qytetarët, thonë se fillimisht duhet të ketë ujë, e më pas të shtrenjtohet çmimi i tij.
Edhe për mbeturinat, fillimisht duhet të vendosen kontejnerë në çdo lagje, e të largohen plehrat nga vendet publike, pastaj të marrin vendime për ngritjen e çmimeve, thonë ata.
"Si e rrisin çmimin e ujit, kur ujë nuk ka? Ta zgjidhin ujin njëherë, pastaj t’i rrisin faturat”- u shpreh një qytetar.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale, Xhelal Ceka, thotë se shtrenjtimi i ujit është kriteri i fundit për të vazhduar me fazën e dytë të projektit të Bankës gjermane “KBV”, e cila ka dhënë kredi për rikonstruksionin e ujësjellësit të qytetit me kushtin e shtrenjtimit të çmimit të ujit për pije.
“Ata kërkuan 18 denarë për metër kub ujë, por ne e ngritëm çmimin në 16 denarë”, thotë Ceka.
Vendimi për shtrenjtimit, shkaktoi furtunë të vërtetë në Këshillin Komunal të Tetovës. 13 këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së, votuan “pro” këtij vendimi, duke krijuar kështu shumicën e nevojshme që ky vendim të marrë “dritë jeshile”.
Këshilltarët e PDSH-së, votuan kundër rritjes së çmimit të ujit, ndërsa këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk u paraqitën fare në seancë.
Tetovës i nevojitet ndërtimi i një ujësjellësi, që do të ishte zgjidhje afatgjate për problemin disa dekadash me ujin për pije. Nga buxheti i këtij viti, janë ndarë mjete për këtë qëllim, por nuk dihet ende nëse projekti i ujësjellësit do të fillojë sivjet. (Hamide Ibraimi, TVM2)
