MINISTRIA E DREJTËSISË

Vetëm 10% shqiptarë në radhët e ekspertëve gjyqësorë

25.07.2014 17:50

900 ekspertë të 60 fushave të ndryshëm të ekspertimit, janë shënuar në Regjistrin e Ekspertëve, ndërsa emrat e tyre janë të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë........

900 ekspertë të 60 fushave të ndryshëm të ekspertimit, janë shënuar në Regjistrin e Ekspertëve, ndërsa emrat e tyre janë të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë.

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, njoftoi se në Regjistrin e Ekspertëve shqiptarët janë të përfaqësuar me 10 % dhe ky institucion ka dërguar kërkesë deri te UT-ja dhe UEJL-i, që të gjithë ata që i plotësojnë kushtet ligjore për ekspertë, të pajisen me licencat përkatëse.

Procedura e fitimit të licencës për ekspertë, është thjeshtëzuar, vetëm pritet interesi i tyre për tu marrë me ekspertizë. 

“Numri i shqiptarëve në Regjistrin e Ekspertëve, është diku rreth 10 %. Ministria e Drejtësisë, duke e marrë parasysh atë se ky numër nuk korrespondon me atë që ne e quajmë si përfaqësim të drejtë, ka dorëzuar një kërkesë deri te rektorët e dy Universiteteve, me të cilën kërkon që të informohen personat që i plotësojnë kushtet në bazë të Ligjit për ekspertizë, që të mund po të njëjtit të regjistrohen, që të fitojnë licencë për ekspertë dhe të njëjtit do të mund të regjistron në Regjistrin e Ekspertëve. Kemi dy kategori të ekspertëve. Një kategori është që i plotëson kushtet pa pasur nevojë t’i nënshtrohen provimit dhe kategoria tjetër që nuk janë magjistra ose specialistë në sfera të caktuara, që mund të fitojnë licencë përmes dhënies së provimit për fitimin e licencës”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

Kryetari i Odës së Ekspertëve, Vase Donevski, thotë se ky Regjistër do të ndihmojë që saktë të dihet se sa ekspertë ka dhe cilave sfera ju përkasin.

“Kemi nga të gjitha fushat, më së shumti kemi nga fusha e ekonomisë dhe inxhinierisë mekanike. Në fushën e komunikacionit rrugor kemi më pak ekspertë, ndërsa numër më të ulët kemi te ekspertët e ndërtimtarisë”- theksoi kryetari i Odës së Ekspertëve, Vase Donevski.

Me publikimin e Regjistrit të Ekspertëve, për herë të parë formohet edhe Komisioni Disiplinorë, i cili do të kontrollojë punën e ekspertëve të Odës dhe nëse konstaton shkelje në ekspertiza të caktuara, do të përdorë edhe metodën e dënimit të ekspertëve. (Sanije Kasami, TVM2)