Botë

Shpërthime të fuqishme në Kabul, numri i viktimave po rritet

30.04.2018 10:12

Dy shpërthime të fuqishme kanë goditur qendrën e Kabulit afër Agjencisë shtetërore të inteligjencës, duke lënë të paktën 21 persona të vdekur...

Dy shpërthime të fuqishme kanë goditur qendrën e Kabulit afër Agjencisë shtetërore të inteligjencës, duke lënë të paktën 21 persona të vdekur, përfshirë një gazetar të Agjencisë së lajmeve franceze, AFP, ka njoftuar një zyrtar afgan.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë më 30 prill se një sulmues vetëvrasës me motoçikletë ka hedhur vetën në ajër në zonën Shash Darak, afër qendrës së inteligjencës.

Shpërthimi i dytë ka ndodhur pas 20 minutave, pasi një sulmues vetëvrasës, duke pretenduar se është gazetar, ka aktivizuar bombën afër Selisë së Ministrisë për Zhvillim Urban teksa disa persona ishin nisur drejt zyrave qeveritare.

Ministria ka thënë se të paktën 21 persona kanë vdekur dhe 27 të tjerë janë plagosur e janë dërguar në spital, duke shprehur frikën se numri i viktimave të të dy sulmeve mund të vazhdojë të rritet.

Zyrtarët kanë thënë se ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, i cili vjen vetëm disa ditë pasi talibanët kanë nisur një ofensivë të re, duke kundërshtuar thirrjet e Qeverisë afgane për nisjen e negociatave paqësore.