Dhuna në Mianmar, mijëra njerëz braktisin shtëpitë
Mijëra njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre në provincën Kachin në Mianmar...

Mijëra njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre në provincën Kachin në Mianmar si pasojë e luftimeve mes ushtrisë dhe rebelëve etnikë. Sipas OKB-së, gjatë prillit më shumë se 4000 njerëz janë larguar nga banesat e tyre.
Përleshjet e armatosura janë pasojë e përshkallëzimit të përplasjeve mes Organizatës për pavarësinë e Kachin dhe qeverisë së Mianmarit. Raportohet se ushtria po i bombardon nga toka dhe ajri rebelët pa u shqetësuar aspak për jetët e civilëve, si zakonisht në Mianmar ku autoritetet qendrore nuk duan t’ia dinë për pakicat.
Veç mijëra të larguarve, OKB thotë se shumë të tjerë kanë mbetur në kurth në zonat e konfliktit në afërsi të kufirit me Kinën. Organizatat humanitare i kanë kërkuar leje qeverisë që të shkojnë në zonë, por kjo e fundit nuk i ka lejuar.
