Maqedoni
Rasti “Mitmarrja”, Zaev: I montuar, pres të lirohem nga akuza
30.04.2018 14:58
Larg syve të opinionit, sot në Gjykatën Penale është prezantuar video-xhirimi ku kryeministri, Zoran Zaev, ngarkohet për mitmarrje....

Vendimi i tillë i gjykatës u arsyetua me faktin se me publikimin e bisedës do të shkelej Ligji për dëshmi të klasifikuara. Pas mbarimit të seancës, Zaev u deklarua se bëhet fjalë për rast të montuar pasi që xhirimi është ndërprerë në dy pjesë. Ai pret që gjykata ta lirojë nga akuza.
“Në xhirime shihet dy herë ndërprerja e qëllimshme me tendencë për të nxirë fytyrën time. Në ato pjesë flitet për paratë, flitet për hekur, për çimento, tulla, në përgjithësi për organizmin e kishës. Absolutisht mua më vjen mirë që të gjitha këto dëshmi gjykata do t’i ketë parasysh dhe jam i bindur se lënda do të duhet të përmbyllet. Është e qartë se bëhet fjalë për rast të montuar i cili do të përfundojë me vendim lirues”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev tha se me këtë video-xhirim është tentuar që ai të pengohet në publikimin e “bombave”.
“Është më se e qartë se bëhej fjalë për një agjent provokues, trukim, me siguri se ka pasur disa hetime kundër tij, janë bërë pazare në atë kohë me qëllim që Zaev të ndalohet në publikimin e “bombave””,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev premtoi se do të publikojë të plotë video materialin nëse do të ketë të drejtë ta marrë nga gjykata. Kryeministri Zaev fajësohet se në cilësinë e kryetarit të komunës së Strumicës i ka kërkuar 160 mijë euro biznesmenit, Ivan Saçevaliev, për blerjen e një toke ndërtimore, pronë e komunës së Strumicës.
MERAL ISMAILI
