Maqedoni

VMRO akuzon Pushtetin Lokal: Shkupi po transformohet në deponi të madhe

30.04.2018 17:49

VMRO-DPMNE ka akuzuar sot Pushtetin Lokal, me theks punën e Qytetit të Shkupit për përkeqësimin e cilësisë së ajrit...

VMRO-DPMNE ka akuzuar sot Pushtetin Lokal, me theks punën e Qytetit të Shkupit për përkeqësimin e cilësisë së ajrit, sepse udhëheqësia e qytetit ka filluar gradualisht që Shkupin ta transferojë në deponi të madhe.
 
Sipas VMRO-së, mbeturinat nga më shumë qytete të vendit sillen në Shkup, në Deponinë “Drislla”, me çka po rrezikohet  jo vetëm ambienti jetësor, por edhe shëndeti i vetë qytetarëve. Në Deponinë “Drislla” për momentin po transportohen mbeturina nga qyteti i Tetovës, dhe në këtë mënyrë do të veprohet edhe me mbeturinat nga qyteti i Strugës.
 
“Drislla” nuk guxon dhe nuk mund të jetë deponi e cila do të mbledhë mbeturinat e gjithë shtetit. Bëhet fjalë për plehra shtesë që peshojnë me tonelata, me ç’rast procesi i djegies është i dëmshëm jo  vetëm për qytetin, por dhe për qytetarët në përgjithësi, thonë nga partia opozitare, VMRO-DPMNE.
 
Sipas VMRO-së, me mënyrën e menaxhimit të këtillë me Deponinë “Drislla”, qytetarët e Shkupit do të thithin ajrin më të ndotur në nivel të shtetit.