Maqedoni
Takim i ri Dimitrov – Koxias, Zaev: Kërkojmë të gjitha mënyrat për zgjidhje
30.04.2018 18:01
Negociatat për zgjidhjen e kontestit rreth emrit do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave...

Negociatat për zgjidhjen e kontestit rreth emrit do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave, përkatësisht shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, të enjten dhe të premten do të takohen në Selanik, në forumin katërpalësh në të cilin do të jenë edhe kolegët e tyre nga Bullgaria dhe Shqipëria.
Kryeministri, Zoran Zaev, tha se ai kërkon të gjitha mënyrat e mundshme kreative për gjetjen e zgjidhjes, por se vendimin përfundimtar do ta marrin institucionet e vendeve përkatëse. Nuk përjashtoi mundësinë për ndryshime kushtetuese, nëse këtë e kërkon pala greke, por, sipas tij, me rëndësi është që, krahas zgjidhjes, të ruhet edhe dinjiteti edhe identiteti.
“E kam thënë se Maqedonia gjithsesi duhet ta hap kushtetutën para se të hyj; në BE, si çdo vend anëtar, i cili para se të anëtarësohet e hap kushtetutën dhe një pjesë të suverenitetit ia delegon BE-së. Por, nëse bëhet fjalë për garanci shtesë që është me rëndësi për qytetarët e Greqisë, që janë palë, atëherë do të mund të shqyrtohet edhe kjo mundësi. Unë jam njeriu që kërkon të gjitha mënyrat e mundshme kreative për gjetjen e zgjidhjes, duke e ditur se mund të arrihet zgjidhje nëse për atë votojnë institucionet në Greqi dhe institucionet në Maqedoni, dhe në fund të fundit bëhet fjalë për vendime të institucioneve jo e për vendim të Zaevit dhe Dimitrovit, apo të Ciprasit dhe Koxiasit”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Takimi i fundit Dimitrov – Koxias - Nimic u mbajt në Vjenë, javën e kaluar, por nuk u publikua asnjë detaj nga bisedimet, përveç deklaratës së ndërmjetësuesit Nimic, se të dyja palët mbeten të përkushtuara për zgjidhjen e problemit.
Greqia këmbëngul për emër të përbërë për përdorim të përgjithshëm, ndërsa pala maqedonase shpreson për zgjidhje para Samitit të e KE-së, për të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në, si dhe aktivizimin e ftesës për anëtarësim në NATO.
Për arritjen e këtij qëllimi, edhe NATO-ja edhe BE-ja kërkojnë guxim dhe vendosmëri në drejtim të zgjidhjes së çështjeve dypalëshe.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se dyert e Aleancës janë të hapura për Maqedoninë sapo të zgjidhet problemi me emrin. Ndërsa, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë samitit të procesit Bërdo Brioni, që u mbajt në Shkup, tha se BE-ja po përpiqet fort për perspektivën evropiane të rajonit.
SHPËTIM NUREDINI
