Vazhdojnë kërkimet për dy policët kosovarë, Nuhiu: Po ndihmon edhe Policia e Maqedonisë

30.04.2018 18:08

Zhytësit e ekipeve të shpëtimit të zjarrfikësve dhe të njësiteve të FSK-së...

Zhytësit e ekipeve të shpëtimit të zjarrfikësve dhe të njësiteve të FSK-së, me ndihmën edhe të pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Maqedonisë, kanë vazhduar kërkimet në lumin Lepenc në tentim të gjetjes së trupave të dy policëve kosovarë të zhdukur pas aksidentit të së shtunës.

Ekipet kanë arritur tek lisi barrikadues duke kaluar në territorin e Maqedonisë, ku dyshohet se mund t’i ketë bartur uji trupat e dy policëve të aksidentuar.

“Kërkimet janë duke vazhduar edhe sot. Deri më tani nuk ka asgjë të re”,- ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Ndërsa zëvendësministri i brendshëm i Maqedonisë, Agim Nuhiu, ka bërë të ditur se Njësia Speciale e Policisë se Maqedonisë është kyçur ne kërkimin e kolegeve kosovarë.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur të shtunën, pasi vetura me të cilën po udhëtonin dy policët, Malsor Dashi dhe Armend Trena, nga Hani i Elezit, për shkaqe ende të panjohura ka humbur kontrollin, duke dalë kështu nga rruga dhe duke përfunduar në lumin Lepenc nga një lartësi mjaft e madhe. (Gyltene Sinani, TVM2)