Maqedoni

KSL nuk është pjesë e marshit protestues. KSL kërkon negociata me qeverinë

30.04.2018 18:40

Konfederata e Sindikatave të Lira të Maqedonisë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk do të marrin pjesë në protestat e nesërme...

Kryetari i KSL-së, Bllagoja Ralpovski, deklaroi se Konfederatat e Lira të Sindikatave kanë vendosur të festojnë, siç thotë, si të gjithë qytetarët tjerë të vendit. Ky vendim i Sindikatave të Lira vjen pasi ato kanë konstatuar se gjendja sociale-ekonomike në vend është në situatë të keqe, andaj kërkojnë intensifikimin e dialogut social me qeverinë. 
 
“Qëndrimi i KSL-së edhe në të kaluarën ka qenë se 1 majin do ta shënojmë dhe festojmë. Ne nuk e presim 1 majin që të dalim në rrugë, atë e bëjmë gjithmonë kur do ta ndjejmë nevojën që të protestojmë, gjithmonë kur do të vendosemi në atë situatë që dalja në rrugë të jetë mënyra e vetme”,- tha Bllagoja Ralpovski nga KSL.
 
KSL është në negociata me Qeverinë për plotësimin e disa kërkesave, si: rritjen e pagave, pjesëmarrjen e obligueshme në rebalansin e paralajmëruar të buxhetit në pjesën e pagave, si dhe partneriteti social të fillojë të funksionojë në nivel qendror dhe në atë lokal.
 
“Tani më kemi disa negociata me Qeverinë e RM-së dhe me kryeministrin, Zoran Zaev. Durimi ynë do të jetë deri atje sa anëtarët kanë durim për realizimin e kërkesave tona, që janë në kuadër të ligjeve dhe marrëveshjeve kolektive. Kur do të ndjejmë se jemi të manipuluar dhe se blihet kohë, nuk do të presim, por do të dalim në rrugë ose të fillojmë me realizimin e ndonjë mase më radikale sindikale”,- tha Bllagoja Ralpovski nga KSL.
 
Nga Konfederata e Sindikatave të Lira kërkuan që inspektoratet kompetente të bëjnë kontrolle dhe revizione të të gjitha largimeve nga puna për të cilat ekzistojnë të dhëna se nuk është respektuar ligji.
 
Dita Ndërkombëtare e Punës është festë shtetërore në disa vende të botës. Ajo festohet në shenjë respekti ndaj viktimave nga greva, që është mbajtur prej 1 deri më 4 maj në vitin 1886 në Çikago, kur demonstruesit kërkonin vendosjen e orarit të punës prej tetë orëve.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU