Maqedoni
Përplasje VMRO-LSDM për zhvillimin e ekonomisë
30.04.2018 19:46
Orce Gjeorgjievski nga VMRO-DPMNE doli sërish me akuza për punën e qeverisë, e cila, sipas VMRO-së...

Orce Gjeorgjievski nga VMRO-DPMNE doli sërish me akuza për punën e qeverisë, e cila, sipas VMRO-së, po punon gjithnjë e më shumë në drejtim të varfërimit të qytetarëve në vend.
“Derisa qytetarët po e ndjejnë në vazhdimësi varfërinë, ndërsa shteti po mbytet në borxhe, funksionarë të lartë të pushtetit nga LSDM po grumbullojnë me dhjetëra miliona euro përmes bizneseve që i bëjnë. Gjeorgjievski kërkon përgjegjësi nga kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri Angjushev lidhur me rritjen e pasurisë së tyre si dhe të familjeve të tyre nga marrja e pushtetit e deri më tani”. VMRO pyet gjithashtu se pse këto të dhëna për milionat nuk janë të regjistruara në listat anketuese të pasurisë.
I menjëhershëm ishte reagimi i LSDM-së. Në reagimin me shkrim të LSDM-së thuhet se “maja e dyfytyrësisë është VMRO-DPMNE, partia që simbolizon shtetin e robëruar, që është simboli i krimit, dhe korrupsionit”.
“Kjo parti nuk ka të drejtë të flasë dhe të tregojë se çfarë është drejtësia, qytetarët janë ata që çliruan këtë shtet të kapur dhe e shndërruan në shtet demokratik dhe transparent. Tani pason përgjegjësia për krimin dhe korrupsionin e bërë gjatë 11 viteve të kaluara”, theksojnë në deklaratën me shkrim nga LSDM.
