Botë
Sulmi i djeshëm në Kabul, ShBA dënon vrasjen e civilëve dhe gazetarëve
01.05.2018 10:43
Ambasada amerikane në Kabul i dënoi ashpër sulmet e një dite me parë, ku humbën jetën 31 persona, 10 prej të cilëve gazetarë...

Ambasada amerikane në Kabul i dënoi ashpër sulmet e një dite më parë, ku humbën jetën 31 persona, 10 prej të cilëve gazetarë.
“Atje ku mediat janë në rrezik, të gjitha të drejtat e tjera të njeriut gjenden në një kërcënim të madh”,- ishte mesazhi i përcjellë në faqen e saj zyrtare, ku shprehej vendosmëria për të qëndruar në krah të Qeverisë afgane në luftën e saj kundër terrorizmit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur vendin të sigurt përballë sulmeve të tilla burracake.
Përpos Sabavoon Kakar dhe Abadullah Hananzai, nga sulmi i dytë kamikaz në kryeqytetin afgan humbi jetën edhe 28 vjeçarja, Maharram Durrani, e cila ishte duke u trajnuar në byronë e Radios Europa e Lirë në Afganistan dhe do të niste punën në 15 maj.
Në një incident të veçantë, reporteri i shërbimit vendas të BBC-së, 29 vjeçari, Ahmad Shah, u qëllua për vdekje nga persona të panjohur në provincën e Khostit.
Sulmi filloi gjate orëve të hershme të mëngjesit nga një kamikaz me motoçikletë që hodhi veten në erë në afërsi të një zyre të Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë.
Kur punonjësit e shpëtimit dhe ekipet e medias u mblodhën në vendin e ngjarjes disa minuta më vonë, një sulmues i dytë i veshur si gazetar shpërtheu eksplozivet e ngjitur në trupin e tij, duke shkaktuar shumë viktimave.
