Maqedoni
1 maji, Dita e Punëtorëve, Mickovski: Gjendja e punëtorëve, shqetësuese
01.05.2018 13:10
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovki, ua uroi punëtorëve ditën e tyre, 1 majin...

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovki, ua uroi punëtorëve ditën e tyre, 1 majin, duke u premtuar se partia që drejton do të vazhdojë të luftojë fuqishëm për të drejtat e punëtorëve. Sipas tij, gjendja e punëtorëve këtë 1 maj është shqetësuese.
“Kemi informacione serioze për mosrespektimin e pagës minimale. Një tjetër shqetësim është edhe mospagesa e duhur e mundit të punëtorëve. Përkundër premtimeve për rritje, paga mesatare shënon zbritje. Më seriozisht rrezikohen bujqit, minatorët dhe transportuesit. Paga aktuale nuk i mbulon nevojat mesatare mujore të një familje. Kushtet e këqija për punë dhe mobingu në vendet e punës janë sfidë serioze që kërkojnë zgjidhje. Këtu kemi edhe paralajmërimet për rritjen e moshës së daljes në pension, si dhe debatin për rritjen e tatimit që shkon në kurriz të të punësuarve”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
Edhe administrata, sipas tij, është gjithnjë target i kritikave të shumta, presioneve dhe revanshizmit politik nga ana e qeverisë. Mickovski thotë se kjo pasqyrë e të drejtave të punëtorëve duhet ndryshuar. Punëtorët duhet të ndjehen të sigurtë dhe të mbrojtur.
SEDAT SELIMI
