Maqedoni
1 maji - muzikë dhe skarë në Saraj, qytetarët festojnë
01.05.2018 17:57
Para qeverisë dhe kuvendit, sindikalistët protestuan për të drejtat e tyre...

Por, në parkun e Sarajit, qytetarë të shumtë vendosën që edhe sivjet 1 majin ta shënojnë jo si ditë proteste, por si ditë feste. Moti me diell bëri që në park të mos kishte vend të lirë.
Aq më tepër që sot në Saraj mbahet edhe nata e dytë e festivalit “Saraj fest”. Shumë prej atyre që dolën në piknik e që i intervistoi TVM2, nuk ishin të kënaqur me të drejtat e tyre si punëtorë, por kjo nuk i pengoi që sot në vend të protestës të zgjedhin skarën në park.
“Punoj privat!” Nuk jemi të kënaqur me të drejtat e punëtorëve”,- tha një qytetar.
- D.m.th., është dashur që të dilni e të protestoni ndoshta?
“Është dashtë, por nuk e kemi ditur”,- theksoi një qytetar.
“Mirë jemi, të kënaqur jemi, vetëm rrogat i kemi të ulëta. Pensioner jam”,- tha një qytetar.
“Po edhe ata kanë të drejtë, edhe ne kemi të drejt të dalim prej mërzisë. Pa punë jam, kam dalë”,- u shpreh një qytetar.
“Mendoj që mënyra më e mirë për të kremtuar këtë ditë është me anë të piknikut”,- tha një qytetar.
Për të siguruar që asgjë nuk do të prishë piknikun e tyre, në afërsi vëreheshin edhe ambulancat, por edhe policët që ruanin rendin. Si çdo 1 maj, edhe sivjet u vërejt e njëjta dukuri. U ndezën zjarre për skara dhe plehrat hidheshin në vendin më të afërt.
Festuesve të 1 majit duket se nuk u bëjnë përshtypje as paralajmërimet dhe gjobat e mëdha për zjarre në natyrë apo për hedhjen e mbeturinave jashtë vendeve adekuate. Pas festimit të sotëm, punën më të madhe do ta kenë ekipet e pastrimit që duhet ta kthejnë natyrën ashtu siç ishte para se të fillonte pikniku i 1 majit.
FJOLLA TELAJI
