Botë

Mijëra njerëz në rrugë në Armeni, opozita fton për mosbindje të plotë civile

02.05.2018 12:51

Dhjetëra mijëra qytetarë bllokuan sërish rrugët e kryeqytetit të Armenisë, Erevanit, pasi kreu i opozitës, Nikolas Pasinjan, kërkoi mosbindje civile....

Demonstruesit bllokuan shumicën e rrugëve kryesore, rrugët në hyrje të qytetit dhe rrugën kryesore që çonte në aeroport,  shumë dyqane janë të mbyllura. Asambleja Kombëtare e Armenisë dështoi dje në zgjedhjen e kryeministrit dhe i vetmi kandidat ishte kreu i opozitës, Nikolla Pasinjan, i cili nuk u zgjodh, pasi 45 prej 105 deputetëve votuan për të – tetë më pak nga 53 votat e nevojshme. Pas këtij dështimi, ai ftoi qytetarët në një grevë të përgjithshme sot që do të kthehet prej nesër në mosbindje të plotë civile.
 
Sipas kushtetutës armene, në rast se deputetët nuk zgjedhin një kryeministër në seancën e parë të parlamentit, sesioni i ri caktohet për shtatë ditë. Nëse kryeministri nuk zgjidhet në atë kohë, parlamenti shpërbëhet. 
 
Të martën, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje të gjitha forcave politike në Armeni që “të angazhohen në dialog gjithëpërfshirës përpara rrethit të dytë të votimit më 8 maj”.
 
Armenia u trondit nga një krizë politike që nga 13 prilli, kur partitë e opozitës organizuan protesta mbi të cilat kryeministri dhe ish-presidenti i atëhershëm, Serzh Sargsyan, dha dorëheqje më 23 prill.