Ligji për media, shumica dhe opozita harmonizojnë qëndrimet
Assesi të fillojë debati rreth amendamenteve për propozim ligjin për media....

Assesi të fillojë debati rreth amendamenteve për propozim ligjin për media. Në Komisionin për transport dhe lidhje, debati u shty për të tretën herë, për shkak se anëtarët e këtij komisioni patën angazhime të tjera në seancën plenare në Kuvend. Mazhoranca dhe opozita tani bëjnë me dije se kanë harmonizuar qëndrimet rreth disa amendamenteve, por nuk bëhet e ditur nëse janë dakorduar për mosndërprerjen e mandateve të përbërjes aktuale të Këshillit programor të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele, ashtu siç kërkon opozita.
“Për disa çështje kemi harmonizuar qëndrimet, ndërsa për disa të tjera do t’i provojmë që t’i përafrojmë qëndrimet gjatë debatit të amendamenteve. Ne do të tentojmë që përmes konstruktivitetit tonë të kontribuojmë që ligji i ri, i cili duhet miratuar, të jetë sa më cilësor, megjithatë vlerësimi ynë si parti për këtë propozim ligj, e që shpresojmë se nuk do të jetë prapavijë për miratimin e të njëjtit, është që nuk është ligjore dhe parimore të ndërpriten mandatet e përbërjes aktuale të Këshillit programor të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilioski.
Ekzekutivi kërkon nga opozita të mbështesë ligjin e ri dhe bashkërisht t’i fillojnë reformat në mediat, të cilat, sipas partisë në pushtet, do të sigurojnë pavarësi, profesionalizëm, do të garantojnë procedurë transparente dhe llogaridhënie në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave mbikëqyrës në këto dy institucione.
“Një pjesë e amendamenteve të dorëzuara nga opozita janë objektive, ndërsa një pjesë tjetër, për mendimin tim, janë subjektive dhe joreale. Se për cilat amendamente jemi dakorduar e për cilat jo, do të shihni atëherë kur do të fillojë debati rreth këtyre amendamenteve. Në këto momente nuk është korrekte të tregoj se për çfarë kemi arritur ose jo marrëveshje. Marrëveshje dhe bisedime është mirë gjithmonë të kemi, por nuk mund të kemi debat të pafund për çdo zgjidhje ligjore”,- theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Përmes amendamenteve të parashtruara kërkohet që përveç dy të tretat e votave të deputetëve, emërimi i anëtarëve të rinj të bëhet edhe përmes zbatimit të parimit të Badenterit, përmes të cilit do të bëhej filtrimi më i detajuar i kandidatëve në këto vende. Propozim ligji i ri për mediat është në lexim të dytë dhe nevoja për një ligj të ri doli si rezultat i marrëveshjes së arritur mes partive politike në Përzhinë.( Rexhep Qamili, TVM2)
