Të enjten takim Dimitrov-Kotzias, Kotzias: Zgjidhja, afër. Po dështoi, ne nuk kemi faj
Në prag të takimit mes ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë...

Në prag të takimit mes ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, që pritet të mbahet në Selanik të Greqisë, shefi i Diplomacisë greke, Nikos Koxias, thotë se palët janë shumë afër marrëveshjes dhe nëse nuk arrihet marrëveshje, kjo nuk do të ndodh për faj të Greqisë.
Sipas tij, palët janë dakorduar për emër të përbërë me përcaktim gjeografik dhe i mbetet Maqedonisë që të zgjedh njërin nga propozimet që do të japë ndërmjetësi, Metju Nimic, duke shtuar se palët ende nuk kanë harmonizuar dallimet rreth përdorimit të emrit, përkatësisht kërkesës së palës greke për emër për përdorim të përgjithshëm ose “erga omnes”.
“Që të jetë “erga omnes” i vërtetë, duhet të implementohet edhe në brendi të vendit. A mund të lidhet marrëveshja ndërkombëtare që do ta përmbajë të gjithë këtë? Mundet. Dhe, ekzistojnë juristë që besojnë në këtë. Por, përvoja tregon se nëse ndryshohet kjo qeveri, e ardhshmja do ta dërgojë Zaevin në burg, duke theksuar se ka shkelur Kushtetutën, me pranimin e emrit ndërkombëtar që nuk është parashikuar dhe lejuar nga Kushtetuta. Edhe për mbrojtjen e tyre, siç u kam shpjeguar, duhet ndryshimi i Kushtetutës”,- tha ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
Edhe kryeministri, Zoran Zaev, pak ditë më parë, nuk përjashtoi mundësinë për ndryshime kushtetuese, nëse këtë e kërkon pala greke për garanci shtesë. “Maqedonia gjithsesi duhet ta hap Kushtetutën para se të hyjë në BE, si çdo vend anëtar, i cili para se të anëtarësohet e hap Kushtetutën dhe një pjesë të suverenitetit ia delegon BE-së. Por, nëse bëhet fjalë për garanci shtesë që janë me rëndësi për qytetarët e Greqisë, që janë palë, atëherë do të mund të shqyrtohet edhe kjo mundësi”, – deklaroi Zaev.
Kreu i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, dhe homologu i tij grek, Nikos Kacias, do të takohen të enjten në Selanik, në takimin katërpalësh, ku do të marrin pjesë edhe kolegët e tyre nga Shqipëria dhe Bullgaria, Ditmir Bushati dhe Ekaterina Zaharieva. Në takim do të shqyrtohen çështjet rajonale, ndërsa në margjina pritet të mbahet edhe takim kokë më kokë, Dimitrov - Koxias. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
