Maqedoni

Zgjerimi i ekzekutivit, të dy “Besat” presin vendimin e Zaevit

02.05.2018 17:07

Të dyja Lëvizjet “Besa” vazhdojnë të ripërsërisin qëndrimet e tyre se i kanë finalizuar bisedimet me kryeministrin, Zoran Zaev...

Të dyja Lëvizjet “Besa” vazhdojnë të ripërsërisin qëndrimet e tyre se i kanë finalizuar bisedimet me kryeministrin, Zoran Zaev, për kyçjen e subjekteve të tyre në rikonstruimin e Qeverisë. Tani, sipas tyre, kanë mbetur vetëm ndarja e resorëve. 
 
Të dy Besat presin qëndrimin e qartë të Zaevit, se për cilat resore mund të bisedohet. Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa të krahut të Bilall Kasami, ka pohuar se të dyja palët kanë dhënë pëlqim që të jenë pjesë e Qeverisë dhe se kjo është konstatuar në takimin e ditës së hënë.  
 
Sipas tij, kërkesa e Lëvizjes Besa deri tek kryeministri Zaev ka qenë që të udhëheqë me një ministri me resor. Ai gjithashtu pohoi se ata nuk janë kundër kyçjes së krahut të tjetër të Lëvizjes Besa në një qeveri të përbashkët.
 
“Edhe kryeministri, të paktën po flas deri ditën e hënë, nuk ka pasur pozicione të qarta se cilët nga resorët do të mund të ishin pjesë e bisedimeve të këtyre negociatave dhe është lënë që brenda ditëve kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Besa të kënë edhe një takim dhe të shihen gjërat në mënyrë më konkrete, më specifike, se cilët nga resorët do të jenë pjesë e rikonstruimit dhe për të cilat do të mund të bisedohet, por të ofrohen edhe emra konkretë nga ana e Lëvizjes Besa”,- theksoi deputeti, Fadil Zendeli.
 
Edhe nga krahu tjetër i Lëvizjes Besa të Afrim Gashit kanë pohuar se tanimë nuk bëhet fjalë për kyçjen apo jo të tyre në Qeverinë e re, por vetëm se cilën ministri do ta udhëheqin. Edhe ata kërkojnë që ministria që do t’u ndahet, të mos jetë ministri pa resor. 
 
“Me siguri mund të themi se Lëvizja Besa do të udhëheq me një ministri me resor, në kuadër të Qeverisë, por më saktësisht se me cilën ministri, dhe për politikat kadrovike më tepër do të kuptoni në ditët në vazhdim kur të përfundojnë negociatat . Afrim Gashi në një prononcim ka pohuar shqetësimin e tij që nuk do të ishte mirë që problemet e jashtme të barten brenda qeverisë, sepse në atë mënyrë do të pësonte edhe kohezioni dhe funksionimi i brendshëm i qeverisë, por për këtë vendim priten të sjellin organet e partisë”,- theksoi zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani.
 
Afër zgjerimit të Qeverisë mbetet edhe Partia Demokratike Shqiptare, të cilëa, sipas disa burimeve jozyrtare, i është ofruar një ministër pa resor dhe disa drejtori. Larg koalicionimit mbetet Aleanca për Shqiptarët, ku deputeti i kësaj partie, Surja Rashidi, për TVM2 pohoi se pozicionet e ASh-së mbeten të njëjta, se do të mbeten opozitë. 
 
FITIMI KRYEZIU