Skandal në banjat e Katllanovës, kryenin terapi mjekësore pa licencat përkatëse

02.05.2018 17:13

Ortopedë, defektologë dhe anesteziologë të cilët nuk janë shtetas të Maqedonisë...

Ortopedë, defektologë dhe anesteziologë të cilët nuk janë shtetas të Maqedonisë, në mënyrë ilegale dhe pa licencë për punë nga Dhoma e Mjekëve, kanë mjekuar pacientë në banjat e Katllanovës.

Të njëjtit kanë qenë të angazhuar me punë në sektorin për rehabilitim mjekësor, pa lejen e autoriteteve shëndetësore të vendit. Madje, as vetë banjat nuk kanë pasur licencë për veprimtari mjekësore. Këto parregullsi i zbuluan më 14 prill inspektorët e  Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, që dolën në terren pas raportimit të një prindi të revoltuar, që bënte në këto banja terapi fizike për fëmijën e tij të sëmurë nga paraliza cerebrale. Për shkak të këtyre parregullsive, banjat e Katllanovës do të mbyllen përkohësisht në pjesën e shërbimeve shëndetësore. Pas disa ditësh inspektimi, drejtorët e institucionit kanë marrë vendim që të mos pranojnë pacientë të rinj për terapi fizike.

“Pacientët të cilët momentalisht janë atje, do të qëndrojnë deri në kryerjen e periudhës që është caktuar për trajtim. Nuk do të ketë shqetësim apo ndonjë çrregullim në trajtimin e pacientëve të cilët janë hospitalizuar atje. Ndalesa vlen për pranimin e pacientëve të rinj. Prej sot, në banjat e Katllanovës do të ndalohet trajtimi mjekësor të cilin e mbulon Fondi për Sigurim Shëndetësor, ndërsa çdo trajtim tjetër që mbështetet nga vetë banja, mund të funksionojë pa asnjë problem. Trajtimi që mbështetet nga vetë banjat nuk hyn në ndryshimet e Ligjit për kujdes shëndetësor, prandaj edhe mund të  zbatohet”,- tha kryetarja e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, Irina Sotirova-Buhova.

Edhe përkundër mungesës së lejeve, shërbimet për pacientët janë mbuluar nga Fondi Shëndetësor. Përveç inspektoratit shëndetësor, punën në banjat e Katllanovës e ka inspektuar edhe Policia financiare. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)