Ligjet për gjykata dhe këshillin gjyqësor, konsensus pozitë – opozitë për ligjet reformatore
Me konsensus midis pozitës dhe opozitës, kuvendi miratoi ligjet reformatore....

Me konsensus midis pozitës dhe opozitës, kuvendi miratoi ligjet reformatore për gjykata dhe këshillin gjyqësor. Nga VMRO-DPMNE i vlerësuan pozitivisht ligjet në fjalë. Koordinatori i kësaj partie, Dragan Danev, tha se vetëm me ligje të tilla mund të përforcohet gjyqësori.
“Me kërkesën tonë janë përfshirë pjesa më e madhe e neneve. Me këtë në përqindje të madhe do të forcohet pavarësia e gjykatave në RM, do të merren parasysh praktikat europiane, aktvendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjithashtu do të vendoset për avancimin e gjykatësve. Në ligje të tilla, ku do të përfshihej edhe opozita, në të ardhmen do të ketë më shumë në numër”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO – DPMNE.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, përshëndeti përfshirjen e opozitës në miratimin e ligjeve të kërkuara nga BE, ndërkaq shtoi se përpilimi i ligjeve është meritë e të gjithëve.
“Mirë është që opozita ka hyrë në gjithë këtë punë sa i përket ligjeve reformatore të cilat Maqedonia pranoi t’i miratojë. Se ligjet nuk kanë ngjasuar në asgjë para se të bisedohej me opozitën, këtë do ta pranojmë si afirmim të punës së opozitës, megjithatë shakatë mënjanë, ne si shumicë parlamentare me të vërtetë përshëndesim mënyrën se si kanë funksionuar grupet e punës dhe kjo do të vazhdojë të praktikohet edhe në të ardhmen”,- tha Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Me Ligjin për gjykata parashikohet që gjykatësi të japë llogari disiplinore nëse pa arsye nuk cakton seancat gjyqësore, stërzgjat procedurën, apo nuk nis procedurën duke vjetruar lëndën. Gjykatësi mund të shkarkohet atëherë kur Këshilli Gjyqësor do të konstatojë moszbatimin e dispozitave për menaxhimin dhe ndarjen e proceseve gjyqësore. Gjykatësi mund gjithashtu të shkarkohet nëse publikon informacione të besueshme të cilat i ka mësuar gjatë procedurës. Në ndryshimet e ligjit, Gjykata Supreme fitoi afat prej gjashtë muajve për vërtetimin e mendimeve gjyqësore për çështje në zbatimin e ligjit.
Mendimet do të duhet të botohen në faqen zyrtare të gjykatës. Në ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor shkruan se anëtari i këshillit njëkohësisht nuk mund të zgjidhet gjykatës ose kryetar gjykate. Me propozim të VMRO-së është fshirë neni ku ministri i drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës Supreme, si anëtarë të këshillit, marrin pjesë në punën e këshillit pa të drejtë vote.
Anëtari i këshillit mund të largohet nga këshilli nëse ndaj tij është shqiptuar aktvendim gjyqësor. (Meral Ismaili, TVM2)
