Rasti “Titanik” Apeli vendosi: Gjykatësit nuk ndërrohen

02.05.2018 17:58

Janë refuzuar të gjitha kërkesat e mbrojtjes në rastin “TITANIK”....

Janë refuzuar të gjitha kërkesat e mbrojtjes në rastin “TITANIK” për përjashtimin e Këshillit Gjyqësor i cili vepron me këtë rast. Edhe kërkesa për përjashtimin e ushtrueses së detyrës së kryetares në Gjykatën e Apelit, Lidija Dimçevska, është refuzuar si e pabazë nga Gjykata Supreme.

Avokatët mbrojtës kërkuan përjashtimin e Këshillit Gjyqësor dhe kryetarëve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Penale për shkak të dyshimeve se ata janë pjesë e bisedimeve të përgjuara në mënyrë jolegale. Kërkesa erdhi pas deklaratës së kryeprokurores speciale, Katica Janeva, se disa gjykatës janë përgjuar në mënyrë antiligjore, por ata ende gjykojnë në lëndët e PPS-së. Mbrojtja kërkoi nga Janeva të tregojë se cilët janë gjykatësit që janë përgjuar, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Vonesa e vendimit nga Apeli bëri që të shtyhet për 9 maj gjykimi i sotëm për rastin “Titanik”.

Në seancë u paraqitën të gjithë të akuzuarit, mes të cilëve edhe Gordana Jankullovska, e cila nuk erdhi në gjykimin e mëparshëm për shkak të hapjes së pushimit mjekësor. Rasti “Titanik” është rasti i parë i hapur nga  PPS, në të cilin  ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, ish-ministrat dhe funksionarë të lartë të qeverisë së kaluar,  Mile Janakieski, Martin Protugjeri, Kiril Bozhinovski dhe 16 të tjerë  janë të dyshuar për bashkëpunim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, asgjësimin e materialit zgjedhor dhe keqpërdorimin e mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore në vitin 2012. (Besim Abdullai, TVM2)