Botë

BE, më pak fonde për anëtarët që rrezikojnë sundimin e ligjit

02.05.2018 21:14

Komisioni Europian ka propozuar shtimin e mbrojtjes financiare për të luftuar vendet anëtare të BE...

Komisioni Europian ka propozuar shtimin e mbrojtjes financiare për të luftuar vendet anëtare të BE që vënë në rrezik sundimin e ligjit dhe vlerat europiane. Propozimi i KE është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj regjimeve euroskeptike dhe populiste të Polonisë dhe Hungarisë.
 
Bashkimi Europian do të shkurtojë fondet për vendet anëtare që dobësojnë sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kompromentojnë paratë e taksapaguesve europianë.
 
Kështu deklaroi Komisioni Europian në propozimin e përbashkët të buxhetit për periudhën 2021-2027.
 
Plani vjen në përgjigje të udhëheqësve euroskeptikë dhe populistë në Poloni dhe Hungari, ku qeveritë kanë shtuar presionin ndaj mediave kritike dhe grupeve jo-qeveritare, kanë promovuar një retorikë të ashpër anti-emigracionit dhe kanë ndryshuar sistemin gjyqësor kundër standardeve demokratike.
 
Mënyra si blloku europian trajton lëkundjen e qeverive të saj nga vlerat liberale dhe sundimi i ligjit, është kthyer në një sfidë kyçe për të ardhmen e Bashkimit Europian, që tashmë është dëmtuar nga Brexit.
 
Largimi i Britanisë do të lërë pas një hendek të madh në buxhetin e ardhshëm të bllokut dhe propozimi i Komisionit Europian tashmë do të diskutohet nga 27 vendet e mbetura dhe Parlamenti Europian.
 
Komisioni propozoi mjete të reja për të “pezulluar, zvogëluar dhe kufizuar aksesin ndaj financimeve europiane” për vende që nuk mund të sigurojnë shpenzimin e duhur të fondeve të bllokut, për shkak të mangësive në sundimin e ligjit.
 
Komisioni gjithashtu deklaroi se do të krijonte një program të ri për të promovuar “shoqëritë e hapura, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe kreative, duke vënë përpara vlerat europiane, diversitetin kulturor e gjuhësor dhe trashëgiminë.”/Ora News