Maqedoni
Autostrada Shkup - Bllacë, Hoxha: Prioritet dokumentacioni, ndërtimi në 2019
03.05.2018 15:54
Autostrada Shkup-Bllacë vazhdon të mbetet prioritet i qeverisë, pohon zëdhënësi qeveritar, Muhamed Hoxha...

Sipas tij, si obligime paraprake për vitin 2018 mbeten procedurat e përgatitjes së dokumentacionit dhe e njëjta të fillojë të ndërtohet në vitin 2019. Procedurat për ndërtimin e autostradës do të jenë temë diskutimi edhe në mbledhjen e afërt të të dy qeverive.
“Sipas informacioneve të cilat i ka raportuar edhe vetë zëvendëskryeministri Osmani, presim që gjatë vitit 2018 të përfundojnë të gjitha projektet dhe përgatitjet përfundimtare. Gjatë vitit 2018, dhe pjesërisht gjatë vitit 2019, do të duhet të përfundojë përgatitja e dokumentacionit, ndërsa gjatë vitit 2019/2020 të ndërtohet autostrada Shkup-Bllacë”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Sa i përket ndërkohë funksionimit të ekzekutivit në periudhën e kaluar, kur dalja e Aleancës për Shqiptarët la shumë vende drejtuese të zbrazëta, nga qeveria thonë se nuk ka ndonjë pengesë eventuale në punën e eshalonit të parë dhe të dytë, por gjithsesi në disa drejtori ka pasur pengesa reale, pasi mungesa e drejtorëve ka vonuar pagat e të punësuarve.
“Qeveria është duke funksionuar pa pengesa, ndërsa në disa institucione ka pasur disa probleme teknike, sepse në mungesë të nënshkrimit nga drejtori, punëtorët kanë mbetur pa paga dy muaj. Por, tani ky problem është tejkaluar me emërimin e drejtorëve të rinj”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Zëdhënësit qeveritarë në presin e rregullt javor raportuan edhe për përmbylljen me sukses të planit “3-6-9” dhe fillimin e planin të ri 18, i cili ka të bëjë me përmbushjen e obligimeve të cilat i ka vendi ynë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian.
FITIM KRYEZIU
