Botë
Sajmir Tahiri lë mandatin, përballet me drejtësinë si qytetar i thjeshtë
03.05.2018 17:00
Saimir Tahiri nuk do të jetë më deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ish-ministri i Brendshëm në hetim për dosjen e drogës “Habilaj”...

Saimir Tahiri nuk do të jetë më deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ish-ministri i Brendshëm në hetim për dosjen e drogës “Habilaj”, përmes një konference për mediat njoftoi se ka vendosur që të tërhiqet nga mandati i deputetit për t’u përballur me drejtësinë si një qytetar i thjeshtë.
“Unë nga sot e dorëzoj mandatin tim të deputetit. Do të ketë për të gjithë një orë e ndoshta do të japin llogari”,- tha ish-ministri i brendshëm, Saimir Tahiri.
Në fjalën e tij, që zgjati mbi 40 minuta, Tahiri ishte i ashpër dhe me shumicën parlamentare, duke bërë kritika të forta ndaj Ramës, ministrit, Fatmir Xhafaj, grupit të PS-së, ambasadorëve, por pa harruar opozitën dhe presidentin Meta. Ish-ministri i brendshëm, Tahiri, akuzoi se shumica dhe opozita kanë bërë konsensuse në korridoret e errëta të Kuvendit.
“Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje, e pushka top t’u bëhet, unë këtu jam e do t’ia dal. Edi Rama në fillim të parlamentit i falënderoi për kontributin opozitar, kurse pasardhësi im në detyrë me akuza për policinë e kriminalizuar, ia kaloji dhe Saliut dhe Lulit… Ndaj oligarkët që i palluan në tendera me paratë e shqiptarëve, lekët që vodhën nga çdo gjë në buxhetin e shtetit, duke paguar tre herë për një shkollë, katër herë për një spital, pesë herë për një rrugë, t’i paguajnë sot, nuk ua kam fajin unë. Unë jam shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE”,- theksoi Tahiri.
Ndërkaq, në Kuvend ka nisur punimet Komisioni Hetimor për mosarrestimin e Tahirit, i akuzuar për implikimin në trafikun e drogës Shqipëri - Itali.
LULJETA NDOKA
