FORMULA 1

Nico Rosberg deri te pol pozita në Hungari

26.07.2014 16:53

Gjermani i Mercedesit, arriti pol pozitën e tretë në seri, të gjashtën nga gjithsej nga 11 gara sivjet, kësaj rradhe në Çmimin e Madh të Hungarisë......

Nico Rosberg vazhdon të dominoj plotësisht me sezonin e sivjem në Formula 1. Gjermani i Mercedesit, arriti pol pozitën e tretë në seri, të gjashtën nga gjithsej nga 11 gara sivjet, kësaj rradhe në Çmimin e Madh të Hungarisë.

Në shtegun Hungaroring, gjermani 29 vjeç ishte maestral, duke arritur rezultatin më të mirë me kohë prej 1 minutë, 22 sekonda e 714 të qintat, që ishte rezultat për pothuajse gjysëm sekonde më i mirë se ai i bashkëkombasit të tij, Vettel, që nesër do të niset si i dyti.

Finlandezi i Williamsit, Valtteri Bottas, vazhdon me paraqitjet mbreslënëse, duke fituar pozitën e tretë, ndërsa në vendin e katërt u ndal Ricciardo, para Alonsos dhe Massas.

Rivali më i madh i Rosbergut sivjet dhe kolegu i tij nga rradhët e Mercedesit, Lewis Hamilton, pas javës së kaluar në Gjermani, nuk pati fat as në kualifikimet e sotme zyrtare, pasi kësaj rradhe, pjesa e pasme e bolidit të tij u kaplua nga zjarri, me ç`rast britaniku u detyrua të braktis kualifikimet, që në fazën e parë të tyre dhe nesër do të niset nga vendi i parafundit.

Të kujtojmë që javën e kaluar, Hamilton ishte nisur nga pozita e 20-të, që në fund të ngjitet në piadestal, në vendin e tretë. Gara për çmimin e madh të Hungarisë, e 11-ta sezonin e sivjem, në program do të jetë nesër, me fillim në orën 14-të. (Mustafa Ademi, TVM2)