Maqedoni
Arrestimi i aktivistëve të “Së majtës”, mbrojtja: Ishte në kundërshtim me Kushtetutën
03.05.2018 17:26
Gjykata Kushtetuese ka diskutuar rreth shkeljes së lirisë së mendimit dhe diskriminimit në bazë të përkatësisë politike...

Gjykata Kushtetuese ka diskutuar rreth shkeljes së lirisë së mendimit dhe diskriminimit në bazë të përkatësisë politike, si pikënisje ka iniciativën e Partisë “E majta”, ngritur në Kushtetuese, për të vërtetuar nëse gjatë arrestimit të anëtarëve të saj korrikun e kaluar nën arsyetimin se po pengojnë rendin dhe qetësinë publike, si dhe mbajnë një flamur që bën thirrje për urrejtje, ka pasur ose jo shkelje të të drejtave. Mbrojtja e të akuzuarve thotë se arrestimi ishte në kundërshtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën.
“Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të vërtetojë se ndaj disa anëtarëve të Partisë “E majta” vitin e kaluar ka pasur diskriminim politik dhe iu është kufizuar liria e shprehjes. Kufizimi i lirisë së shprehjes, ideve dhe mendimeve mund të vihet vetëm nëse kjo gjë është e rregulluar me Kushtetutë apo nëse bëhet fjalë për ndonjë gjendje të jashtëzakonshme, kurse në rastin konkret për asnjërën nuk bëhet fjalë”,- tha avokatja, Pavlina Zefiç.
“Më vjen mirë që gjykata tregoi mirëkuptim për rastin dhe pres të gjykojë në favorin tonë. Nuk presim përfitime materiale nga ky rast, pasi edhe nuk parashihet dëmshpërblim material por ajo që duam ne është të dalim të pafajshëm”,- theksoi një aktivist i Partisë “E majta”.
Në debat ishin të pranishëm përfaqësues nga Zyra e Avokatit të Popullit, përfaqësues të OSBE-së, si dhe anëtarë nga Komiteti i Helsinkit, të cilët njëzëri vërtetuan se në këtë rast kishte shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
ZEKIRJA MEXHITI
