Maqedoni
Pajisje të reja për gjinekologjinë në Çair, Filipçe: Rrisim sigurinë për nënat dhe foshnjat
03.05.2018 17:34
Spitali specialistik për gjinekologji dhe akusheri “Nënën Tereza” në Çair, furnizohet me pajisje të reja...

Nëntë aparate CTG për të ndjekur aktivitetin e rrahjeve të zemrës të fetusit në barkun e nënës, EHO aparate për anomalitë e lindura, pajisje për reanimim të shpejtë kardio-respiratorë, pajisje për kontrollimin e dëgjimit te të porsalindurit, me çka do të rritet siguria e shëndetit për nënën dhe fëmijën. Pajisjet mjekësore, sipas udhëheqësisë së këtij spitali, do të ndikojnë edhe në uljen e vdekshmërisë së foshnjave.
“Një pjesë e këtyre pajisjeve për herë të parë i sjellim në këtë spital, që do të thotë se më herët nuk i kemi pasur, me këto pajisje rritet siguria shëndetësore për fëmijët e porsalindur, rritet cilësia e shërbimeve shëndetësore edhe për lehonat, janë forcuar ndjeshëm edhe kapacitetet e departamenteve gjinekologjike”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Drejtori i këtij spitali, Bashkim Ismaili, kërkon punësimin e kuadrove të reja të mjekëve specialistë gjinekologë, anesteziologë dhe neonatologë, pasi kuadri i punësuar momentalisht në këtë spital nuk është i mjaftueshëm.
“Momentalisht kemi 17 gjinekologë, shtatë neonatologë dhe gjashtë anestezistë. Nuk janë mjaftueshëm, sepse nevoja është shume e madhe për shkak se është rritur intensiteti i punës në këtë spital, kemi shumë punë dhe pak kuadër të specialistëve. Por, në bashkëpunim me ministrinë dhe trupin koordinues, i cili është formuar, mendoj se edhe kjo do të tejkalohet”,- theksoi drejtori i Spitalit gjinekologjik dhe akusherik “Nënë Tereza”, Bashkim Ismaili.
Pajisja sigurohet nga projekti HOPE në kuadër të projektit PariMak, i iniciuar si një partneritet për përmirësimin e kujdesit shëndetësor të nënave dhe fëmijëve. Projekti do të përfshijë edhe donacionet në Spitalin klinik në Tetovë dhe Spitalin e përgjithshëm në Kumanovë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
