Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, Selmani: Gazetarët vazhdojnë të bojkotohen nga një pjesë e pushtetit
03.05.2018 17:47
Gazetarët janë të censuruar, dënohen dhe sulmohen me të vetmin qëllim, që të heshtin dhe e vërteta mos të dalë në shesh....

Ishte ky vlerësimi i kryetarit të ShGM-së, Naser Selmanit, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Sipas Selmanit, qeveria ka obligim t’ua garantojë sigurinë gazetarëve, të mos lejojë që disa funksionarë qeveritarë të bojkotojnë gazetarët.
“Transparenca e qeverisë është përmirësuar, por praktikat e reja nuk i zbatojnë të gjithë ministrat njësoj. Ka shembuj kur funksionarë të qeverisë i bojkotojnë mediat kritike. Presim që qeveria t’i vejë fund kësaj sjellje jodemokratike të funksionarëve të saj”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Selmani kritikoi edhe buxhetin e paraparë për RTVM-në.
“Forcimi i RTVM-së është vendimtar për reformat në media. Ligji i propozuar nuk garanton pavarësinë financiare të RTVM-së”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Ministri për komunikime dhe transparencë, Robert Popovski, tha se kjo qeveri nuk toleron dhunën ndaj gazetarëve. Ai u shpreh i gatshëm të korrigjojë fenomenin e bojkotit të gazetarëve nga funksionarë të caktuar, ndërkaq la të hapur mundësinë edhe të korrigjimit të buxhetit të RTVM-së.
“Modeli aktual parashikon që RTVM të financohet nga buxheti me 0.7% për vitin e parë, ndërkaq kjo përqindje të rritet katër vitet e ardhshme deri në 1%. Në ligj është lënë hapësirë që sipas nevojës qeveria të gjejë para të mjaftueshme që servisi publik të ketë rolin e vërtetë. Për këtë qeveri nuk ka tolerancë për kërcënime dhe shantazhim të gazetarëve dhe fuqishëm dënojmë sulmet ndaj gazetarëve”,- u shpreh ministri për transparencë dhe llogaridhënie, Robert Popovski.
Nga Ambasada e BE-së dhe ShBA-së dolën me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për raportim të drejtë, pasi që besimi i qytetarëve në media është tejet i ulët.
“Liria e shprehjes dhe mediat e pavarura janë vlerë kyçe e BE-së. Këto vlera fondamentale nuk duhet që të përfshihen vetëm në ligje, por më me rëndësi është që të zbatohen në praktikë. Këtu nevojitet përfshirja e të gjithë aktorëve në shoqëri”,- u shpreh shefi i Zyrës për komunikime në ambasadën e BE-së, Lukash Hollub.
“Një përqindje e ulët e qytetarëve në Maqedoni kanë besim në media. Mediat plasojnë faktet gabimisht, ose raportojnë vetëm faktet që i mbështesin politika të caktuara editoriale. Do t’u inkurajoja juve si gazetarë që të përmirësoni cilësinë e raportimit dhe të raportoni faktet në mënyrën më profesionale”,- theksoi përfaqësuesi i Ambasadës së ShBA-ve, Dejvid Stivenson.
Gazetarët u ankuan për pagat e ulëta e që vë në pikëpyetje lirinë e mediave dhe profesionalizmin. Nga qeveria premtuan se do të mbështesin dialogun me sindikatat dhe pronarët e mediave për rritjen e pagave të gazetarëve dhe punëtorëve në media.
MERAL ISMAILI
