Maqedoni

70 shtëpi botuese në Panairin e Librit, interes edhe nga të huajt për librin shqip

03.05.2018 17:59

Në Panairin e 30 të librit, i cili do të jetë i hapur deri në Arena “Boris Trajkovski” në Shkup...

Në Panairin e 30 të librit, i cili do të jetë i hapur deri në Arena “Boris Trajkovski” në Shkup, adhuruesit e librit do të kenë mundësi të furnizohen me literaturë nga autorë vendorë dhe të huaj, me zbritje të mëdha deri në 70 për qind të çmimit.
 
Në këtë panair botimet e tyre po i prezantojnë rreth 70 shtëpi botuese, ndërsa nuk mungon edhe libri shqip i shtëpive botuese nga vendi, Shqipëria dhe Kosova. Shtëpitë botuese pjesëmarrëse thonë se për lexuesit e Panairit të Shkupit kanë sjellë botime shkencore, libra për fëmijë dhe libra shkollorë. Pjesë e panairit është edhe organizimi i promovimeve dhe takime me autorë. 
 
“Ka interes, nuk është keq, mirëpo duke e krahasuar me panairet tjera, krahas me të Prishtinës, ky renditet i treti. Ka pasur interes edhe nga qytetarë maqedonas, studentë maqedonas për fjalorin e gjuhës shqipe, për gramatikën e gjuhës shqipe”,- tha Ervin Demiri nga Akademia e Shkencave - Tiranë.
 
“Edhe këtë vit marrim pjesë me mbi 300 tituj të librave prej sferave të ndryshme, si nga sfera e sociologjisë, filozofisë, shkencat sociale, religjioni dhe botime të ndryshme”,- thanë nga LOGOS –A.
 
Qytetarët janë të kënaqur me librat në stenda, por thonë se vendi ku mbahet panairi ehtë fare i papërshtatshëm dhe shtëpitë botuese shqiptare janë të pakta në numër.
 
“Shumë pak shtëpi botuese shqiptare dhe mendoj që duhet vitet e ardhshme të ndërrohet koncepti i organizimit të kësaj dhe sa më shumë të marrin pjesë shtëpi botuese shqiptare, me qëllim që t’u ofrohet audiencës më shumë libra, më shumë tematika”,- theksoi një qytetar.
 
“Libri e ndryshon trurin e truri botën. Gjeneratat e reja ka disa që lexojnë, i përcjellin, por shumica jo, interneti e bën të vetën”,- u shpreh një qytetar.
 
Panairi do të jetë i hapur prej orës 10:00 deri në orën 20:00, ndërsa çmimi i biletës është 30 denarë për vizitorë individualë dhe 20 denarë për vizitorët në grupe të organizuara. Për nxënësit hyrja do të jetë pa pagesë, por duhet të kenë me vete vërtetim nga shkolla dhe kujdestari i klasës.
 
Për qasje më të mirë drejt panairit, me kërkesë të Panairit të Shkupit, Ndërmarrja Publike Transportuese vendosi dy linja të reja të autobusit nga anë të ndryshme të Shkupit me numër 100/1 dhe 200/1 të cilët do të çojnë drejt Arenës Vip “Boris Trajkovski”. 
 
GYLTENE SINANI