Maqedoni

PPS prezanton raportin 6-mujor, LSDM: Raport objektiv; VMRO: PPS po shkel ligjin

03.05.2018 18:06

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, prezantoi para deputetëve raportin gjashtëmujor të PPS-së në Kuvend...

Në të potencohen 15 aktakuza të aprovuara nga gjykata, aktgjykime për 11 persona të akuzuar dhe hapjen e 7 procedurave të reja parahetimore kundër 17 personave të tjerë të dyshuar për keqpërdorime të pozitës dhe autorizimit zyrtar, keqpërdorimin e procedurës për furnizime publike, vepra penale kundër zgjedhjeve si dhe larje parash.
 
Janeva tha se për të gjitha këto ka siguruar dëshmi dhe dëshmitarë, megjithëse thekson nevojën për korniza të reja kohore për të çuar këto raste deri në fund.
 
“PPS edhe më tej do të jetë e vendosur për të siguruar procedura të pavarura dhe të paanshme hetimore në lidhje me veprat penale të lidhura me përgjimin e jashtëligjshëm të komunikimeve. Në periudhën e ardhshme gjithashtu do të ndërmerren masa për të rregulluar statusin ligjor të PPS-së, që të mund kjo prokurori deri në fund t’i procedojë dhe hetojë të gjitha veprat penale të cilat janë në juridiksionin e saj”,- tha kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.
 
LSDM vlerësoi se raporti i PPS-së është objektiv dhe real. VMRO akuzon Specialen se është kthyer në gjenerator të pasigurisë juridike në vend.
 
“Në këtë raport vërehen tre gjëra kryesore të cilat vlen të theksohen: aprovimi thuajse i të gjithë aktakuzave të ngritura të PPS-së nga ana e gjykatës, shqiptimi i disa vendimeve gjyqësore për disa lënde të PPS-së dhe vendimi i Gjykatës së Apelit që të lejojë përgjimet të jenë dëshmi në rastet e PPS-së. Gjithë kjo është një fitore e vogël, por e rëndësishme e PPS-së e cila ka tendencë në fund që PPS të arrijë fitore të madhe”,- theksoi Betjan Kitev nga LSDM.
 
“18 muajt e PPS-së të parashikuara për ngritjen e aktakuzave kanë kaluar që moti, ndërsa edhe ne po shohim se ju ende po vazhdoni me ngritjen e procedurave parahetimore dhe paralajmëroni në të ardhmen se do të ngritni aktakuza të reja. Më tregoni mua si qytetar, duke marrë parasysh këto fakte, deri kur do të shkelni ligjin në mënyrë flagrante”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilioski.
 
ASh, ndërkohë, kërkon drejtësi për shqiptarët e dënuar padrejtësisht dhe dënimin e atyre që meritojnë të jenë pas hekurave por mbrohen nga interesi politik.
 
“Në përgjimet që i keni ju, kemi dëgjuar se flitet se si burgjet janë përplot me shqiptarë. Me të drejtë shqiptarët dyshojnë se aty mund të ketë edhe shumë shqiptarë të pafajshëm të cilët nuk e kanë aty vendin. Por, gjithashtu vlerësojmë se në liri ndodhen persona të cilët ndoshta nuk e kanë vendin të jenë aty dhe kjo shpeshherë për shkak të kalkulimeve të ngushta politike”,- u shpreh deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
 
Në raportin gjashtëmujor theksohet se PPS disponon me 605.555 xhirime audio, prej të cilave janë përpunuar dhe analizuar rreth 85% prej tyre. Në raport theksohet se PPs përfundimisht ka vendosur bashkëpunim me institucionet e vendit, se ekipi i saj në këtë 6-mujor është zgjeruar për 15 të punësuar të rinj dhe se llogaria përfundimtare e PPS-së është paraqitur në Entin për Revizion dhe në Regjistrin Qendror.
 
Realizimi total i buxhetit të PPS-së përfundimisht më datën 31.12.2017 është 161.197.380,00 denarë, ose 70.70% prej buxhetit të kësaj prokurorie, ndërsa gjatë vitit të kaluar nuk është realizuar 29.30% nga buxheti i miratuar.  
 
REXHEP QAMILI