Maqedoni

Selanik, diskutohet integrimi i rajonit, pritet takim Dimitrov - Kotzias për emrin

03.05.2018 18:25

Me ftesë të kryediplomatit grek, Nikos Kotzias, shefat e diplomacive të katër vendeve të rajonit...

Me ftesë të kryediplomatit grek, Nikos Kotzias, shefat e diplomacive të katër vendeve të rajonit: Maqedonisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Greqisë, janë takuar në Selanik në takimin e tretë katërpalësh për të diskutuar sfidat e rajonit në Evropën Juglindore, si: integrimi europian dhe pasojat nga lëvizja e refugjatëve dhe migrantëve nëpër vendet e Ballkanit perëndimor drejt BE-së. 
 
Temat kryesore do të diskutohen ditën e premte, ndërsa ajo që pritet të ndodh gjatë mbrëmjes është mundësia për takim dypalësh mes nikoqirit Kotzias dhe ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov, për të shkëmbyer “ide kreative” për tejkalimin e dallimeve rreth emrit kushtetues të Maqedonisë. Megjithatë, asnjëra nga ministritë përkatëse nuk ka konfirmuar realizimin e një takimi të tillë. 
 
Mundësinë për takim Dimitrov – Kotzias e la të hapur kryeministri Zaev, i cili pak ditë më parë tha se edhe takimet që mund të ndodhin në margjina të ngjarjeve të ndryshme mund të jenë të frytshme, duke aluduar në takimin që po mbahet këto dy ditë në Selanik. Gjithsesi, çështja nuk do të mbetet  pa u diskutuar në seancën e paraparë për shqyrtimin e procesit eurointegrues të rajonit, e që ka të bëjë me Maqedoninë dhe Shqipërinë pasi, Greqia dhe Bullgaria, veçmë janë anëtare të plotfuqishme. Sofja, madje, kryeson me BE-në në këtë gjashtëmujor dhe pritet t’I jap shtysë këtij procesi.    
 
Në takimin katërpalësh në Selanik, përveç ministrave të jashtëm, marrin pjesë edhe ministra dhe përfaqësues të lartë të ministrive të brendëshme dhe ministrive për transport dhe lidhje të vendeve përkatëse. Tema diskutimi në resorët përkatës do të jetë edhe bashkëpunimi ndërkufitar në fushën e policisë kufitare, bashkëpunimi në dogana dhe në mbrojtjen civile si dhe ndërlidhja dhe rrjetizimi i transportit rrugor dhe hekurudhor në rajon.
 
SHPËTIM NUREDINI