Botë
Mogherini: Sulmet ndaj gazetarëve, sulme ndaj demokracisë
03.05.2018 19:16
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini në Ditën e Lirisë së Shtypit...

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini në Ditën e Lirisë së Shtypit, përkujton qeveritë se, sulmet kundër medies dhe gazetarëve, janë sulme kundër demokracisë dhe lirisë së të gjithëve.
I bëjmë thirrje të gjithë vendeve, vazhdon mesazhi i saj, që ta dënojnë dhunën kundër reportereve, të marrin masa për të përmirësuar sigurinë e tyre, me një vëmendje të përqendruar sidomos tek gazetaret femra dhe t’i nxjerrin para drejtësisë individët përgjegjës për akte të tilla dhunë.
“Gazetaria e pavarur është jetike për llogaridhënien e shtetit e për monitorimin e proceseve demokratike .Mediet e lira, të larmishme e të pavarura, përfshirë ato online, janë shtyllat e një shoqërie të hapur pluraliste dhe bartin në vetvete përgjegjësinë e madhe për t’i garantuar publikut lajme të verifikuara dhe korrekte. Ne, do t’i kudërvihemi çdo legjislacioni, rregulloreje apo presioni politik, që kufizon lirinë e fjalës dhe do të marrim masa konkrete për të parandaluar e për t’iu përgjigjur sulmeve ndaj gazetarëve dhe blogerëve, duke llogaritur këtu edhe asistencën e emergjencës për t’i dalë në krah mbrojtësve më të rrezikuar të të drejtave të njeriut”, thotë Mogherini në mesazhin e saj.
