Botë

Indi, 100 të vdekur nga stuhitë e rërës

03.05.2018 19:39

Stuhi të fuqishme rëre e pluhuri, kanë goditur Utar Pradeshin dhe Raxhastanin në veri të Indisë, duke marrë gati 100 jetë njerëzish....

Shumë prej viktimave kanë qenë duke fjetur në shtëpitë e tyre, kur banesat iu shembën mbi krye, një pjesë të goditura nga rrufetë. Furia e motit, u bë shkas për ndërprerje të energjisë elektrike. Forca e erës shkuli pemët nga rrënjët, shkatërroi shtëpi dhe vrau bagëtitë. 
 
64 prej vdekjeve u shënua në Utar Pradesh, 43 nga të cilat në zonën e Agras, ku ndodhet Taxh Mahalli i famshëm, minaret e të cilit janë dëmtuar nga shkundjet e erës. 
 
Zyrtarët nuk e përjashtojnë mundësinë që bilanci i viktimave të rëndohet edhe më shumë dhe njoftuan se familjeve të viktimave do t’u vihet në ndihmë me një kompensim prej 400 mijë rupish, ose 6.000 dollarësh.
 
Tërbimi i stuhisë është ndjerë deri në kryeqytetin Delhi, më shumë se 100 km larg, ku mbrëmjen e së mërkurës, u shënuan edhe reshje të dendura shiu.