Jahjaga: Ndikohem vetëm nga kushtetuesja
Atifete Jahjaga në asnjë moment nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve që po ndodhin në skenën politike dhe në asnjë mënyrë nuk i ka anashkaluar ato.......

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se presidentja Atifete Jahjaga në asnjë moment nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve që po ndodhin në skenën politike dhe në asnjë mënyrë nuk i ka anashkaluar ato.
Me anë të një deklarate, presidenca thotë se duke qenë institucioni me mandat të plotë, në kohën kur pritet krijimi i institucioneve të reja, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës thekson se do të vazhdojë pandërprerë që të sigurojë ndërtimin e një procesi kredibil, duke garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.
Sipas Jahjagës, Kuvendi i Kosovës, me deputetët që janë betuar, duhet të gjejë forcën, kurajën dhe guximin për të ndihmuar në radhë të parë vetveten, për ndërtimin e një institucioni jashtëzakonisht të nevojshëm për këtë periudhë kohore, nëpër të cilën po kalon vendi.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, rithekson edhe njëherë faktin se vendimi për hapat e mëtejmë në ndërtimin e institucioneve të vendit, pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, do të bëhet në përputhje me normat ligjore, duke respektuar çdo afat të përcaktuar me Kushtetutë dhe duke mos cenuar të drejtën e asnjë pale në proces.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës i garanton të gjithë qytetarët e vendit, në përgjithësi, dhe të gjitha subjektet politike në veçanti, se ajo do të ndikohet vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila do të respektohet dhe zbatohet në tërësi, në çdo kohë, në çdo rast dhe në çdo mënyrë”, përfundon deklarata e presidentes Atifete Jahjaga.
