Maqedoni

UNT - ditë të hapur për maturantët, prezantohen drejtimet dhe risitë që ofrohen

04.05.2018 15:48

Eksperimente të shumta, prezantim të pajisjeve teknologjike dhe improvizim të fushës sportive....

Këto pamje regjistroi objektivi i kamerës sonë në ditën e hapur të UNT-së ku secili fakultet prezantoi në mënyrë kreative drejtimet që ofrohen. UNT këtë vit ofron studime në pesë fakultete dhe 30 programe studimore, vlerëson prorektori, Bekim Fetahi, i cili veçon disa programe studimore që ofrohen si risi këtë vit.
 
“Kisha veçuar programin, drejtimin trevjeçar të informatikës tek Fakulteti i shkencave sociale, Fakultetin për punë dhe politikë sociale, Fakultetin e shkencave teknike, elektrikë, mekatronikë, fakultetin për dizajn modern, nanoteknologjinë, si drejtime më specifike”,- deklaroi prorektori në UNT, Bekim Fetahi.
 
Fakulteti i shkencave teknologjike ofron drejtime shumë deficitare atraktive si në vendin tonë po ashtu edhe jashtë tij.
 
“Sistemi elektrik, mekatronik në tregun tonë ka gjasa reale për të gjetur punë, andaj ftoj maturantët që të orientohen në këto drejtime teknike, sepse ka nevojë për kuadro të tilla, sepse kuadrot tjera i kemi me bollëk”,- theksoi profesori, Lutfi Bina.
 
Edhe studentët vlerësojnë se UNT ofron drejtime tejet bashkëkohore, andaj ftojnë maturantët të përzgjedhin këto drejtime.
 
“Secila shkollë ose institucion kërkon punonjës socialë. Ka mundësi për punësim dhe është universiteti i parë në shqip”,- theksoi një student.
 
“Drejtimi ekonomi e aplikuar me ndërmarrësi është drejtim i ri për studentët e ekonomisë”,- tha një student. 
 
“Maqedonia nuk ka shumë drejtime të teknologjisë ushqimore, e vetmja është UNT që ofron drejtime shumë të mira”,- u shpreh një student. 
 
Maturantët u informuan po ashtu se UNT ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me universitete ndërkombëtare dhe me kompani vendase dhe të huaja.
 
FLUTURA LATIFI