Maqedoni
Zhvillimi i hershëm i fëmijëve, Qeveria: Kopshte për fëmijë edhe në zonat rurale
04.05.2018 16:11
50 përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të Bankës Botërore dhe ekspertë të fushës...

50 përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të Bankës Botërore dhe ekspertë të fushës, diskutuan rreth përforcimit të zhvillimit të hershëm të fëmijëve në vendet e rajonit tonë. Që fëmija të arrijë zhvillimin optimal, është e patjetërsueshme socializimi i hershëm i tij.
Nga Banka Botërore thonë se investimi në zhvillimin e hershëm të fëmijëve duhet të jetë një prej investimeve më prioritare që një vend duhet t’i bëjë. Por, kjo jo gjithnjë është e mundur. Në Maqedoni, shumë vende rurale nuk kanë as çerdhe dhe as kopshte për fëmijë. Qeveria premton rritjen e përfshirjes së fëmijëve në kopshtet për 50%, me zgjerimin e kapaciteteve veçanërisht në mjediset rurale.
“Jeta e fëmijëve është si një copë letër. Vula e vendosur në të përcakton se çfarë gjeneratash do të lëmë pas nesh. Asnjë njeri nuk mundet vetë, ka gjëra të cilat janë të përbashkëta, të gjithë ne na duhen gjenerata të shëndosha”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Duhet të rritet cilësia e institucioneve parashkollore, cilësia e edukatoreve dhe të ndryshojnë programet në kopshtet dhe fëmijët t’i mësojmë që të mendojnë në mënyrë kritike”,- theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
“Kopshtet nuk guxojnë të jenë vende të cilat i zëvendësojnë gjyshërit, vende ku fëmijët flenë, ushqehen dhe e kalojnë ditën derisa të kthehen në shtëpi. Obligimi ynë është që të sigurojmë zhvillim të hershëm cilësor të fëmijëve në çka jemi të përkushtuar”,- deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska.
Me mbështetjen e Bankës Botërore në vitin 2017 kanë filluar 13 zgjerime të kopshteve jashtë Shkupit, ndërsa për vitin 2018 janë planifikuar 18 të tilla.
REXHEP QAMILI
