Maqedoni

Nis nga Çairi “Java europiane”, panelistët: KE konfirmoi ecurinë e reformave

04.05.2018 16:33

“Maqedonia, pjesë e Bashkimit Europian, pjesë e familjes së civilizimit dhe europianizimit të shoqërisë”...

“Maqedonia, pjesë e Bashkimit Europian, pjesë e familjes së civilizimit dhe europianizimit të shoqërisë”,- ishte konstatimi i ditës së parë të “Javës Eeuropiane”, e cila filloi në ambientet e komunës së Çairit, në organizim të Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare.
 
Panelistët konstatuan se sa më afër Europës, aq më shumë në vend do të ketë drejtësi, barazi, solidaritet dhe respektim të të drejtave të njeriut. Nga raporti i fundit i KE-së, sipas panelistëve, mund të shihet se Maqedonia në të tria kriteret notuese dhe bazike gjendet apo ndan vendin e parë, nga të gjitha vendet tjera të cilat synojnë anëtarësimin në BE. Reformat janë transformim i shoqërisë nga një sistem në një sistem europian, sepse këtë e kërkojnë qytetarët, thanë panelistët. 
 
“Marrja e raportit më të ri pozitiv dhe të pakushtëzuar për përparimin e Republikës së Maqedonisë nga ana e Komisionit Europian jo që është vërtetim dhe njohje e përpjekjeve tona të deritanishëm, por është edhe obligim edhe më i madh për dyfishim të angazhimeve tona”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
“Deri më tani kemi marrë tetë rekomandime nga Komisioni Europian, duke vlerësuar vendin në tre kategori: kritere politike, kritere ekonomike dhe harmonizim të legjislacionit, atë të Maqedonisë me atë të Bashkimit Europian. Pra, tetë herë BE-ja ka konstatuar se Maqedonia është e gatshme për anëtarësim, por për shkak të emrit, Greqia çdoherë ka votuar kundër dhe marrja e datës për fillim ka dështuar”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
“Erdhi koha për ta zgjuar ndërgjegjen tonë, për të mirën e gjeneratave të reja, për të cilët e kemi për detyrë tua zgjerojmë horizontin e perspektivës”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Kryetari i institutit në cilësinë e organizatorit, pohoi se shqiptarët i përkasin indit europian dhe se ne duhet me xhelozi ta mbrojmë këtë rrugë, e cila është rruga e së ardhmes sonë. Në fund, studentëve më të dalluar nga të gjitha universitetet u ndanë certifikatë për përgatitjen e eseve më të mira sa i përket integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian.
 
FITIM KRYEZIU