Botë
Mandati i Tahirit, reagon Lu: Të përballet me drejtësinë, si qytetarët e tjerë
04.05.2018 16:46
Ambasadori i ShBA-së në Shqipëri, Donald Lu, ka reaguar një ditë pas vendimit të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahirit, për të dorëzuar mandatin e deputetit....

Donald Lu deklaroi se tashmë Tahiri do të përballet me drejtësinë si një qytetar i zakonshëm, pa imunitet. Diplomati amerikan u shpreh se askush nuk mundet që të dalë mbi ligjin, ndërsa shtoi se edhe për ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla, po vijojnë hetimet.
Ai kërkoi edhe arrestimin e Balilit të njohur si “Escobari i Ballkanit” dhe të Arbër Çekajt - pronari i kompanisë “Arbri Garden”, ku u gjetën 613 kg kokainë e ardhur nga Kolumbia.
“Urdhër-arresti janë lëshuar edhe për Balilin dhe Arbën Çekajn, ata duhet të kapen. Hetimet po vazhdojnë ndaj Saimir Tahirit dhe Adriatik Llallës. Askush nuk është mbi ligjin. Mirëpresim faktin që zoti Tahiri do përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet. OJQ dhe gazetarët duhet të ndihmojnë publikun të kuptojnë pse këta persona janë të rrezikshëm dhe të ngrenë pritshmëritë se së shpejti do të arrestohen dhe ndiqen penalisht”,- tha ambasadori i ShBA-së në Shqipëri, Donald Lu.
Ndërkohë, pak orë pasi Lu përmendi Arbër Çekajn, në kompaninë e të cilit u gjetën 630 kg kokainë, policia e shtetit njoftoi arrestimin e Çekajt në Dyseldorf të Gjermanisë.
LULJETA NDOKA
