Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë, linjë SOS për komplikime pas operacionit

04.05.2018 17:03

Ministria e Shëndetësisë do të zbatojë sistem të ri të zhvillimit të kujdesit shtëpiak pas ndërhyrjeve kirurgjikale...

Pacientët e operuar, të cilët do të lëshohen në shtëpi, tre ditët e para nga lëshimi do të kontaktohen nga punonjësit shëndetësorë përmes SOS - linjës telefonike për të marrë evidencë për gjendjen e tyre shëndetësore dhe për të dhënë këshilla mjekësore. Më pas, deri në takimin e parë me mjekun pas operimit, ata do të kontaktohen një herë në javë nga klinikat për të parë gjendjen shëndetësore të pacientëve.
 
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se një gjë e tillë vjen si pasojë e kërkesave të mëdha të pacientëve të operuar për këshilla mjekësorë, ndërkaq shtojnë se problemin e pritjeve të gjata për t’u operuar do ta zgjidhin përmes punësimit të specializantëve.
 
“Në ditët e para nga lëshimi në shtëpi i pacientëve, së paku nga një punonjës shëndetësor do të jetë përgjegjës në secilin repart ku ka pacientë të hospitalizuar. I kemi bërë të gjitha analizat rreth kohës së pritjes së pacientëve për operim, përmes masave të cilat i ndërmarrim sa i përket punësimit të specialistëve para së gjithash në klinikat universitare, klinikat dhe spitalet e përgjithshme dhe rritjen e numrit të të punësuarve. Besojmë se do të vijmë deri tek ulja e numrit të pacientëve të cilët një periudhë të gjatë presin termin për operacion”,- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Vlladimir Milloshev.
 
Sipas Milloshevskit, pas largimit nga spitali, gjëja më e rëndësishme për pacientin janë këshillat nga një mjek në rast komplikimi të caktuar ose paraqitje të simptomave të ndryshme. Kjo praktikë do të vendoset në të gjitha spitalet e vendit ku kryhen ndërhyrje kirurgjike. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se gjatë vitit 2017 në vend janë kryer 51,771 operime.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU