Maqedoni

Integrimi europian, Hollub: Në BE, do të ruani identitetin

04.05.2018 17:29

E ardhmja e Maqedonisë është brenda BE-së, andaj tani është momenti ku Maqedonia...

E ardhmja e Maqedonisë është brenda BE-së, andaj tani është momenti ku Maqedonia do të duhet të bëjë përpjekjet e fundit të bëhet pjesë e kësaj familje, porositi përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shkup, Llukash Hollub. Sipas tij, vetëm në BE maqedonasit mund të ruajnë identitetin, andaj qytetarët duhet që të binden se BE është opsioni i vetëm për një të ardhme më të mirë.
 
“Është e rëndësishme të diskutohet me qytetarët se ku tjetër përpos se në BE ju mund të jeni pjesë e diçkaje globale, ku tjetër ju mund të gëzoni eksperienca të reja dhe të ruani identitetin tuaj, ku tjetër ju mund të jeni të lirë, të mbrojtur dhe të kultivoni traditat? Për mua përgjigjja është e qartë, është në BE. Ballkani Perëndimor gjithmonë përgjatë historisë ka qenë në hartën e Europës, historisë. Andaj nëse jo sot, atëherë kur?”,- deklaroi përfaqësuesi i delegacionit të BE-së, Llukash Hollub.
 
Edhe drejtori rajonal i Iniciativës për Shoqëri të Hapur, Zhordi Vaker, tha se me kyçjen në BE, Maqedonia do të shndërrohet vend i ofertave duke u ulur kështu edhe migracioni.
 
“BE është akoma opsioni që ofron perspektivat më të mira për një shtet që ka vendosur të jetë një shoqëri e hapur për qytetarët, të mos bëhet e pasur sikurse Suedia, por të bëhet shtet i mundësive për qytetarët që mos ikin në Gjermani, Itali apo në ndonjë shtet tjetër”,- tha drejtori rajonal i iniciativës “Për shoqëri të hapur”, Zhordi Vaker.
 
Drejtorja e Fondacionit “Shoqëri e hapur”, Fani Karanfillova, thotë se e rëndësishme është që procesi i integrimit europian të mos jetë vetëm proces teknik, por europianizim thelbësor i shoqërisë.
 
“Shoqëria jonë të transformohet dhe me të vërtetë të jetojmë në një vend dinjitoz për të gjithë, që gjithkush të ketë qasje deri tek drejtësia, të ketë kushte dinjitoze ekonomike, qasje deri tek arsimi cilësor dhe pluralizëm në media. Vetëm atëherë mund të themi se përparimi në integrimin europian ia ka arritur qëllimin”,- u shpreh drejtoresha e Fondacionit “Shoqëri e hapur”, Fani Karanfillovska Panovska.
 
Komentet u bënë në konferencën rajonale me temë “Pse Europa, pse tani?, organizuar me rastin e 25 vjetorit të ekzistimit të Fondacionit “Shoqëri e hapur”.
 
MERAL ISMAILI