Maqedoni

Kazino e re në Reçicë të Vogël, qytetarët: Ne nuk kemi shkollë, ju na hapni kazino

04.05.2018 17:52

“Nëse dinamiti shkatërron një objekt, kazinoja rrënon një shtet!”, “mjaft na degjeneruat rininë!”...

Këto ishin disa nga pankartat e shumta që mbanin në duart protestuesit në Tetovë. Ata ngritën zërin kundër hapjes së një kazinoje në Reçicë të Vogël, përballë objektit të UT-së e në afërsi të dy shkollave të mesme, atë të mjekësisë dhe bujqësores.
 
Protestuesit përkujtuan autoritetet se Reçica e Vogël nuk ka shkollë fillore, ndërkohë që ata lejojnë hapjen e një kazinoje. Protestuesit kërkojnë që të mos lejohet asnjë kazino të funksionojë të paktën 3 kilometra pranë lagjeve të banuara.
 
“Ne si Këshill i protestës para institucioneve paraqesim këto kërkesa Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë  së Arsimit, asaj të Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe komunës së Tetovës, që menjëherë të anulojnë punën në hapjen e kësaj kazinove, të hartojnë një ligj që të gjitha kazinotë, bastoret sportive dhe lojërat tjera të fatit të largohen së paku 3 km nga shtëpia e fundit e çdo vendbanimi”,- theksoi organizatori, Xhemal Ademi.
 
“Të gjithë qytetarët e dinë se nuk është në rregull kjo të hapet kazino në qendër të qytetit dhe rreth universitetit apo shkollave të mesme. Nuk jemi kundër po të hapen sa më larg qendrës me distancë 5 -10 klm larg qytetit në të grupohen dhe ne të veprojnë”,- tha protestuesi.
 
“Tetova njihet për të mirë  dhe për mbrojte të rinisë  dhe institucionet familjare. Unë dyshoj dhe gjithë dyshojmë se kjo bëhet shkaku dhe iniciativa të tilla janë marrë nga shërbimet sekrete për të orientuar gabim këtë rini ose për të dëmtuar këtë pasuri që ne kemi”,- theksoi protestuesi. 
 
I zëshëm ishte edhe rektori i UT-së, Vullnet Ameti, i cili porositi qeveritarët që të mos vendosin vetëm kollare, por të merren me zgjidhjen e problemeve.
 
“Apeloj te organet shtetërore që të jenë më seriozë dhe njerëzit që udhëheqin institucione të jenë seriozë, jo të rrinë nëpër poste vetëm si kukulla aty të vendojnë nga një kollare në fyt, por të jenë seriozë dhe ky devijim dhe ky shantazh që i bëhet shoqërisë në përgjithësi është në dëmin tonë. Jo të dalë këtu të protestojë sa për sy e faqe të marrë masat e duhura aty ku duhet të merren, është nënkryetare e partisë dhe të jetë e përgjegjshme”,- tha rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
 
Por, kryetarja e Tetovës, e cila mori pjesë në protestë, thotë se komuna dhe Inspektorati i komunës nuk ka asnjë kompetencë lidhur me kazinotë dhe bastoret sportive. Arifi kërkon që me ligjin e ri të rriten kompetencat e komunës lidhur me këtë çështje.
 
“Inspektoratet tona nuk janë kompetente për të marrë vendime në këtë drejtim. Kërkesa jonë si këshill dhe komunë është jo vetëm 100 metra nga objektet shkollore, por distanca e këtyre objekteve nga të gjitha objektet e interesat publike të jetë 300 metra dhe komuna të ketë kompetencat e veta”,- u shpreh kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Në qytetin e Tetovës ka rreth 50 kazino dhe mbi 150 bastore sportive, dhe shumica e tyre as që kanë leje përkatëse për veprimtaritë që ushtrojnë. Protestuesit nuk do të ndalen deri sa kazinotë dhe bastoret sportive të largohen nga afërsia e shkollave dhe universiteteve në Tetovë. 
 
VISAR SADIKI