Maqedoni
Ministrori në Selanik dhe çështja e emrit. Edhe dy çështje deri në zgjidhjen përfundimtare
04.05.2018 18:01
Takimi ministror i Selanikut, rezultoi mundësi e mirë për takim dypalësh Dimitrov – Koxias....

Pas dy ditë takime, ministrat paralajmëruan takim të ri për javë që vjen, me ndërmjetësuesin, Metju Nimic, ku pritet të shënohet sukses më i madh. Kanë mbetur vetëm dy çështje që kërkojnë zgjidhje, kërkesa e palës greke për ndryshim kushtetues dhe korniza e përdorimit. Gjatë takimit dy ministrat kanë provuar të gjejnë kombinime të pranueshme të cilat do t’u paraqiten qeverive përkatëse, para takimit të radhës.
“Qëllimi është që të gjejmë një zgjidhje të ndershme, të qëndrueshme dhe përfundimtare që dy palët mund ta pranojnë. Zgjidhje që do të prodhojë miqësi dhe jo frustracione. Pasi vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e qëndrueshme dhe përfundimtare. Dallime ka ende. Ajo që bëmë dje dhe sot, në fakt provuam kombinime që njëra apo pala tjetër të mund t’i pranojë. Kjo është detyra e jonë. Duhet të bisedojmë për këto elemente në shtëpi dhe të shohim nëse takimin e radhës mund ta shfrytëzojmë më frytshëm. Çështja është shumë komplekse, investimi është shumë i madh. E dini se dallimi kryesor që ka mbetur, nuk është sekret, është kërkesa për ndryshimin e kushtetutës lidhur me kornizën e përdorimit”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Pala greke më e relaksuar, thotë se ka bërë hapin e vet ndërsa tani i takon palës maqedonase të dëshmojë vullnet politik dhe të guxim.
“A janë të gatshëm të martirizohen?! Mendoj se është mënyrë e dhimbshme. Por, investuam shumë përpjekje. Tani kjo është zgjidhja. Mendoj se jemi pjekur dhe tani nuk guxojmë të jemi të dëshpëruar. Ne patëm guximin dhe e bëm hapin, tani ata duhet të jenë të guximshëm. Duhet të ketë vullnet politik”,- u shpreh ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Koxias.
Gjatë ministrorit në Selanik, Dimitrov ka shfrytëzuar rastin për takime dypalëshe. Ai ka realizuar takim edhe me nënkryetarin e qeverisë Bullgare, njëkohësisht ministër i jashtëm, Ekaterina Zaharieva, me të cilën ka diskutuar hapa konkret që kryesimi bullgar mund t’i bëjë për të ndihmuar Maqedoninë në ambicien që përfundimisht të ketë vendim politik për fillimin e negociatave paraqasëse.
SHPËTIM NUREDINI
