Maqedoni
Ligji për energjetikë, Angjushev: Qytetarët, përfituesit më të mëdhenj
04.05.2018 18:23
Në debatin publik në Kuvendin e Maqedonisë, u diskutua Projektligji për energjetikë....

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, theksoi se ky ligj është miratuar në dobi të qytetarëve dhe se ofron konkurrencë në sektorin e energjisë, e që ndryshe do të thotë edhe shërbime më cilësore.
Sa i përket rritjes së pakontrolluar të çmimeve, Angjushev tha se përmes mekanizimit të zgjedhjes së një furnizuesi universal, i cili do të zgjidhet në procedurë publike, siguron mbrojtje për qytetarët dhe për shfrytëzuesit e fundit të energjisë.
“Ky ligj do të sigurojë konkurrencë, kur ekziston konkurrenca ka përfitime edhe për përdoruesit e fundit, sepse me rritjen e konkurrencës rritet edhe cilësia e shërbimeve e po ashtu zvogëlohen edhe çmimet. Dua t'u kujtoj vetëm dy shembuj se çfarë do të thotë konkurrenca në shërbimet e telekomunikacionit dhe në tregun e energjisë elektrike. Me futjen e konkurrencës në këto dy fusha, rritet cilësia e shërbimeve, çmimet bien në mënyrë drastike, sepse subjektet ekonomike që i ofrojnë këto shërbime në këto fusha luftojnë për të kapur tregun dhe kështu vazhdimisht ato e përmirësojnë kualitetin dhe cilësinë e shërbimeve”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Zëvendëskryeministri gjithashtu theksoi se e mbështet konceptin e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla, duke përmendur se Qeveria do të vazhdojë ta zbatojë këtë koncept edhe në të ardhmen, duke shtuar se hidrocentralet e vogla janë të kufizuara gjeografikisht.
Angjushev shtoi se qeveria do të realizojë projektin për ndërtimin e termocentraleve të reja të erës, me fuqi prej 150 megavat, e cila është në përputhje me studimin e qëndrueshmërisë në sistemin energjetik të Maqedonisë.
ZEKIRJA MEXHITI
