Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Maqedoni shënuan ditën e dëshmorëve
Në Shqipëri, Kosovë dhe vendbanimet shqiptare në Maqedoni u shënua dita e dëshmorëve, 5 maji....

Në Shqipëri, Kosovë dhe vendbanimet shqiptare në Maqedoni u shënua dita e dëshmorëve, 5 maji. Presidenti Ilir Meta, kreu i kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama janë përkulur para monumentit “Nënë Shqipëri” në shenjë nderimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë.
Përveç drejtuesve të shtetit shqiptar në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë.
Dëshmorët i bashkon përjetësia për atdheun theksoi me këtë rast presidenti, Meta.
“Të gjithë bashkë i bashkon përjetësia për të gjithë atë që e kanë bërë për çlirimin e vendit” – tha President i Shqipërisë, Ilir Meta.

Me rastin e 5 majit, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore të Heroit të Kombit, Jetë Hasani, si dhe dëshmorit Ruzhdi Salihu, emrin e të cilit e mban edhe shtëpia-muze që ishte shtab i UÇK-së.
“Nderimi që i bëjmë ne të gjithë një atdhetari si sot në Ditën e dëshmorëve të kombit vetvetiu flet se nuk është rastësi që e kemi lirine që e meritojmë dhe do ta kemi do ta ruajm” – u shpreh Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në ditën e dëshmorëve të Kombit, SHVL-UÇK përkujtoi Dëshmorët e luftës së vitit 2001, duke vendosur kurora lulesh në varezat e tyre në Haraçinë.
Nga SHVL-UÇK thonë se vlera e Dëshmorit nuk matet me asgjë, sepse ata janë viktiumizuar për të mirat dhe për të drejtat e popullit shqiptar. “
Dëshmori nuk matet me asgjë, vendin e parë e kanë dëshmorët në popull, në kombin e vet. Nuk di si të them, nuk matet vepra e tyre se edhe jetën e kanë dhënë për ne, për çlirim, për bashkim të trojeve shqiptare.” – u shpreh Ragmi Emini nga SHVL-UÇK.
Më 5 maj kudo në trojet shqiptare organizohen aktivitete për të përkutuar dëshmorët, ndërsa Dita e Dëshmorëve origjinën e ka në 5 maj të vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare. (Ersan Pajaziti, TVM2)
