Zaev: Shërbimet policore dhe të sigurisë ti arrijnë shërbimet profesionale të BE-së

06.05.2018 15:32

Pas sfidave të shumta me të cilat u përballën shërbimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme...

Pas sfidave të shumta me të cilat u përballën shërbimet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arritëm ta kthejmë funksionin themelor të këtij shërbimi, që të jetë shtylla më e fuqishme e cila e garanton shtetësinë, sigurinë e vendit dhe në të njëjtën kohë policia të jetë, mik dhe mbrojtës i qytetarëve.

Kështu deklaroi kryeministri Zoran Zaev në shënimin e Ditës së Policisë, 7 Maji, me çrast theksoi se qëllimi i ri MPB-së, është që shërbimet policore dhe të sigurisë ti arrijnë shërbimet profesionale të Evropës Perëndimore.

“Është shumë e rëndësishme, Maqedonia t’i profesionalizojë dhe t’i depolitizojë shërbimet dhe të ndërtojë sistem i cili do t’i sigurojë funksionet kryesore të policisë pavarësisht ndryshimit të pushtetit politik. Policia dhe MPB asnjëherë më nuk guxojnë të keqpërdoren për qëllime politike për mbështetjen e individëve në pushtet. Të drejtat e njeriut nuk guxon të shkilen nga ata që duhet ti garantojnë” – u shpreh Kryeministri, Zoran Zaev.                                                                                           

SPASOVSKI: NUK GUXOJNË TË MBETEN PA U DËNUAR ATA QË KEQPËRDORËN POLICINË MË 27 PRILL

Në agjendën e MPB-së dhe policisë janë proceset reformuese përmes së cilave, MPB e kthen besimin tek qytetarët theksoi me këtë rast Ministri i Brendëshëm, Oliver Spasovski, i cili duke rikujtuar zhvillimet e 27 prillit të vitit të kaluar theksoi se vendi askokohe ndodhej në prag të luftës qytetare por siç tha ai për interesa të dikujt.

“Vetëm para një viti Maqedonia u përball me siguri të cënuar dhe cënim të rendit kushtetues, ishim në prag të luftës qytetare dhe viktimave të reja për interesa personale të dikujt, motivet dhe arsyet janë të njohura, ndërsa kreatorët dhe ekzekutorët nuk guxojnë të mbeten pa u dënuar, veçanërisht ata të cilët e keqpërdorën policinë dhe tentuan ta kthejnë kundër popullit të tyre. Sot në MPB nuk mbahen mbledhje ku krijohen dhe montohen raste për shkak të mosdurimit politik apo personal” – tha Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.     

Ministri i Punëve të Brendshme, Spasovski poashtu paralajmëroi rritje të pagave të nëpunësve policorë prej nji dhjetorit të këtij viti. (Gyltene Sinani, TVM2)