Nebie Rushiti, ka nevojë për ndihmën tonë, ndihmoni drejtpërdrejt në 071/ 975-001
Një njeri i moshuar, i ngjan një fëmije, sepse ka nevojë gjithmonë për kujdes....

Një njeri i moshuar, i ngjan një fëmije, sepse ka nevojë gjithmonë për përkujdesje. Kështu thotë Nebije Rushiti. Ajo mezi i lëviz këmbët. 69 vitet që i ka mbi supe dhe jeta plot skamje, i kanë lënë pasoja në shëndet.
Hallet vazhdojnë ta ndjekin edhe në këtë moshë të thyer. Burri i ka vdekur 13 vite më parë dhe Zoti nuk ju dha fëmijë. Ajo jeton me qira, tërësisht vetëm, në një vend që nuk mund të quhet shtëpi, sepse në fakt është thjesht hapësira e bodrumit të një shtëpie të vjetër, në lagjen Gazi-Babë të Shkupit.
Muret e bodrumit janë gjithë myk, lagështia të mbyt në çdo frymëmarrje. Sidomos verës, kur koha nxehet. Netëve të ngrohta, Nebia fle jashtë, për t'i ikur sado pak lagështisë mbytëse.
“Fëmijë s’kam, jo jo nuk kam fëmijë, vetëm me burrin kam jetu, burri që 13 vite më ka vdekur. Këtu shumë vllagë e madhe, kjo ndër truall është shumë thell është, e sheh prej vendit sa thellë është. Du të rroj sa jam gjallë, e jo kur të vdes, se do vdes një ditë. Shtëpia ka lagështi, më pengon në shëndet.Verës fle jashtë se gushitem këtu, era e keqe vjen, sa erdha i çela dyert. Burri kur ishte gjallë ne kemi jetu në Drecavicë, si vdiq ai, unë nuk kisha me cilin të jetoj atje e vetme.
A keni shtëpi atje?
Jo, jo, as atje nuk kemi shtëpi, na lëshuan disa katundarë, nuk ka pas burri im, ka qene fukara i madh” ,– thotë Nebije Rushiti.
Lagështia nuk është i vetmi problem që ia rrezikon jetën dhe ia përkeqëson shëndetin Nebijes. Problem më vete janë minjtë, që u janë kthyer në bashkëqiraxhinj të dhomës së saj në podrum. Ata nuk i tremben as kurtheve, e as barit që Nebia hedh për të shpëtuar prej tyre.
“Ka minj shumë, ka vllagë. Skam ku jetoj, e sheh goja shkrum më është bërë. Lloj lloj dhimbjesh kam, zemra më dhem, fyti, kam dhimbje të madhe të këmbëve, sidomos njëra më dhemb shumë. Unë edesha një shtëpi të vogël, një dhomë dhe një banjo të kem, boll e kam sepse unë jam plakë. 69 vjet i kam” .
Nebia ka pasur edhe mjete funksionale të teknikës së bardhë, por lagështia ia ka prishur. Por në pamundësi për të paguar edhe qiranë e dhomës në podrum, Nebia nuk mendon dot për të zëvëndësuar aparaturat e pridhura. Ato janë në rend të dytë, mbijetesa është e para.
Nebia nuk ka zgjidhje , ka vetëm lutje drejtuar njerëzve bujarë, ta ndihmojnë të kalojë në qetësi , vitet që I kanë mbetur. Të provojë një dhomë të thatë , pa lagështirë dhe pa minj, me disa aparatura për të ngrohur gjellën apo për të mbajtur të paprishura gjësendet e pakta që mund të blejë. Vetëm kaq kërkon. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
