Korea e Veriut, SHBA po provokon bisedimet paqësore

06.05.2018 20:15

Koreja e Veriut ka paralajmëruar Uashingtonin për pretendimin se Phenjani është detyruar që të negociojë...

Koreja e Veriut ka paralajmëruar Uashingtonin për pretendimin se Phenjani është detyruar që të negociojë si pasojë e presionit të SHBA-së, duke theksuar se kjo rrezikon që gjendja në gadishull të kthehet “në pikën zero”, përderisa dy shtetet po përgatiten për një samit historik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë Veriore e ka akuzuar SHBA-në se “me qëllim po e provokon” Phenjanin, në përpjekje për të minuar atmosferën e tanishme “të dialogut”. 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong-un pritet të takohen në javët e ardhshme.

Trump më 4 maj ka thënë se data dhe vendi për samitin historik me liderin verikorean është caktuar, duke mos dhënë më shumë detaje. Përgatitjen për takimin e dy liderëve kanë arritur momentum, pas një samiti më 27 prill në mes të Kim dhe presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in në Zonën e Demilitarizuar në mes të dy Koreve.

Në këtë samit, Kim është pajtuar që të ndërmarrë një sërë masash, që kanë për qëllim të përmirësojnë marrëdhëniet mes Veriut dhe Jugut dhe ka shprehur vullnetin e tij për të biseduar për denuklearizimin e Gadishullit Korean.

Trump ka sugjeruar se “presioni” i tij i madh, përmes një fushate me retorikë të ashpër dhe sanksione, kanë luajtur një rol kyç në bisedimet me Phenjanin. Por, zëdhënësi i Minsitrisë së Jashtme të Veriut e ka paralajmëruar SHBA-në që të mos e interpretojë vullnetin e Phenjanit për bisedime, si shenjë dobësie.