PALESTINA-IZRAELI

Izraeli dhe Hamasi arrijnë armëpushim 12 orësh

26.07.2014 18:17

Prej orës 7 të mëngjesit së sotëm sipas kohës së Evropës Qendrore, ka filluar marrëveshja për armëpushim 12 orësh ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës......

Prej orës 7 të mëngjesit së sotëm sipas kohës së Evropës Qendrore, ka filluar marrëveshja për armëpushim 12 orësh ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Izraeli dhe grupet militante palestineze në Rripin e Gazës janë pajtuar me kërkesën e Kombeve të Bashkuara për pauzë humanitare. 

Izraelitët refuzuan kështu planin e sekretarit amerikan të shtetit, Xhon Kerri, që armëpushimi të zgjaste 1 javë. 

Ushtria izraelite tha se nuk do të hapë zjarr për 12 orë, por me kuisht që armëpushimi do të thyhej në raste sulmesh kundër ushtarëve apo civilëve të saj. Nga ana tjetër, Izraeli tha se do të vazhdoj kërkimin për tunelet që shfrytëzohen nga militantët.

Përpjekjet diplomatike për një zgjidhje afatgjate të situatës nuk janë ndërprerë. Ato vazhduan në Paris, me takimin ndërkombëtar mbi situatën në Gaza, me pjesëmarrjen e Ministrave të Punëve të Jashtme nga vendet kryesore të përfshira.

Ndërkohë, numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës ka arritur në më tepër se 1 mijë vetë, shumica prej tyre civilë.

Ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës ka njoftuar sot se i ka gjetur më se 100 trupa të varrosur nën gërmadhat e ndërtesave të bombarduara. Trupat janë gjetur sot gjatë amrëpushimit humanitar 12 orësh, i kërkuar nga Kombet e Bashkuara.

Kështu, numri i palestinezëve të vrarë tash është 1030, gjatë 19 ditëve të luftimeve ndërmjet Izraelit dhe militantëve të Hamasit. Ushtria e Izraelit tha se tre ushtarë janë vrarë në luftimet gjatë natës, kështu që tash gjithsej 40 izraelitë janë vrarë, përfshirë edhe tre civilë.