Maqedoni
Takimi i ri Zaev-Ivanov, kërkohet zgjidhje për guvernatorin e ri të BP-së
07.05.2018 12:35
Presidenti, Gjorge Ivanov, dhe kryeministri, Zoran Zaev, sot duhet të mbajnë takimin e dytë...

Presidenti, Gjorge Ivanov, dhe kryeministri, Zoran Zaev, sot duhet të mbajnë takimin e dytë me radhë lidhur me harmonizimin e qëndrimeve rreth zgjedhjes së guvernatorit të ri të Bankës Popullore, i cili duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji. Takimi mbahet me kërkesë të Zoran Zaevit, njoftojnë nga kabineti i kryeministrit. Kërkesa vjen pas prononcimeve të shumicës parlamentare kundër rizgjedhjes së Dimitar Bogovit për guvernator të Bankës Popullore.
Ditë më parë, kryeministri Zaev deklaroi se ky institucion është shumë i rëndësishëm dhe beson se përmes rrugës së kohabitacionit dhe dialogut që ekziston mes palëve, zgjidhja do të gjendet. E drejta e presidentit është absolute të propozojë emër për guvernator, por e drejtë edhe e parlamentit është që të zgjedh dhe të votojë guvernatorin e ri.
Sipas kreut të ekzekutivit, ky institucion patjetër që duhet të mbetet profesional, andaj, sipas tij, bisedimet vazhdojnë për gjetjen e emrave të ekspertëve dhe profesionistëve të kësaj fushe si potencial për të drejtuar Bankën Popullore në 7 vitet e ardhshme. Zaev mohoi të ketë pasur takim paraprak me presidentin Ivanov për këtë temë, por tha se lidhur me vendimin e presidentit për të rizgjedhur sërish Dimitar Bogovin si guvernator të Bankës Popullore, e ka kuptuar përmes mediave.
